Ditën kur janë bërë 24 vjet nga rënia është vlerësuar lart kontributi për liri i heroit Ilir Konushevci dhe mjekut nga Tropoja, Hazir Malaj.
Tek i ka përkujtuar në këtë përvjetor, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar drejtësi për heroin Ilir Konushevci, i vrarë në pritë në Shqipëri.
“Liria dhe Iliri janë një. Konsistenca në luftën për liri ishte virtyt i Ilirit. Idealizmi e bëri që përpjekjes për lirinë e vendit të mos i ndahet deri në fund të jetës, duke u bërë hero i Kosovës. Sot e kujtojmë me respekt figurën e njeriut të radhëve të para të UÇK-së, i cili krahas bashkëluftëtarëve sikurse Hazir Malaj, synimin e brezave për liri e shtet e bënë realitet. Për Ilirin e Hazirin duhet drejtësi, ndërkaq kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm”, është cituar presidentja Osmani, në një njoftim të lëshuar nga Presidenca.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, në lagjen “Velania” në Prishtinë.
Konjufca ka theksuar se Konushevci e Malaj kanë rënë heroikisht derisa ndodheshin të angazhuar dhe duke kontribuar drejtpërdrejt për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Kreu i Kuvendit ka thënë se ata ia dhanë të mbarën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Vetë fakti që ata e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, rezultoi që me qindra e mijëra djem e vajza të tjerë iu bashkuan UÇK-së dhe në këtë mënyrë ushtria jonë e lavdishme u përtëri dhe vazhdoi luftën deri në çlirimin e plotë të Kosovës. UÇK-ja është e pamenduar pa kontributin e komandantit Ilir Konushevci, i cili do të nderohet e kujtohet gjithmonë bashkë me të gjithë ata të cilët e dhanë jetën si dëshmorë për lirinë e kombit tonë”, është shprehur Konjufca.
Gjeneralmajorin Ilir Konushevci e doktorin Hazir Mala, në përvjetorin e rënies i kanë kujtuar edhe drejtuesit e tjerë institucionalë e ata të partive politike.
Konushevci dhe Malaj janë vrarë më 9 maj të vitit 1998, në një pritë, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.