LAJMET E MBRËMJES

Ndërpritet seanca ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

Çështja e dorëzimit të provave të përmendura në aktakuzë është bërë shkas që seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, të shtyhet për më shumë se dy javë. Avokati i të akuzuarit ka pretenduar se Prokuroria nuk i ka prezantuar para gjykatës disa prova shfajësuese. Këtë pretendim e ka kundërshtuar organi i akuzës

Seanca e shqyrtimit fillestar, në rastin ku për keqpërdorim të detyrës akuzohet ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike (KEK), Nagip Krasniqi, është shtyrë të enjten me kërkesë të mbrojtjes.
Para se të akuzuarit Krasniqi t’i lexohej aktakuza, avokati i tij, Virtyt Ibrahimaga, ka thënë se nga Prokuroria nuk ia kanë pranuar një pjesë të provave, të cilat ai ka theksuar se e pamundësojnë vazhdimin e seancës për mbrojtjen.

Ibrahimaga është ankuar se disa dokumente nuk i janë prezantuar as gjykatës.

“Një mori tjetër dëshmish, të cilat ne i kemi pasur, i kemi shqyrtuar gjatë deklaratës së të pandehurit, duke përfshirë një raport të ATK-së, që është një dëshmi shfajësuese, prokurori nuk e ka shpalosur”, ka thënë ai.

E prokurori Dren Paca ka deklaruar se e ka përmbushur obligimin ligjor, pasi që të gjitha provat e përmendura në aktakuzë ia ka ofruar edhe mbrojtjes. 

Për këtë, ai ka thënë se ka edhe dëshmi.

“Avokati i të pandehurit ka nënshkruar edhe vërtetimin me anë të të cilit ka konfirmuar pranimin e aktakuzës si dhe të gjitha provave të cilat janë propozuar në aktakuzë”, ka thënë prokurori Paca.

Pasi mbrojtja është deklaruar që nuk është e gatshme të vazhdojë me leximin e aktakuzës pa i siguruar dëshmitë e kërkuara, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, e ka miratuar kërkesën e mbrojtjes, duke e ndërprerë seancën dhe duke i kërkuar prokurorisë që t’ia ofrojë ato prova edhe mbrojtjes.

Vazhdimi i seancës është caktuar që të mbahet më 8 tetor.

Nagip Krasniqi është emëruar kryeshef i Korporatës Energjetike në fund të vitit 2021 dhe është pezulluar nga detyra më 23 prill të 2023-tës, katër ditë pasi është arrestuar.

Aktakuza e ngarkon Krasniqin se pak ditë pasi që e ka marrë detyrën e kryeshefit të KEK-ut ia ka mundësuar kompanisë “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e rrymës në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe atë për Zyrën e Rregullatorit.

Sipas aktakuzës, Krasniqi me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me këtë kompani sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni që tregtimi i energjisë nuk mund të bëhej me kompani të palicencuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Për pasojë, Prokuroria ka pretenduar se buxheti i Kosovës është dëmtuar në vlerë prej 532 mijë eurosh.