Kontingjenti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, një ditë pas kthimit nga misioni i kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti në Turqi, është dekoruar me medalje presidenciale ushtarake. Presidentja Osmani tha se puna e ushtarëve të FSK-së i ka pasqyruar vlerat më të larta të kombit. Të hënën ata u nderuan me medalje edhe nga Qeveria
Presidentja Vjosa Osmani dekoroi të martën pjesëtarët e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë të Kosovës me medalje presidenciale ushtarake për shërbimin në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.
Ajo tha se FSK-ja e ka nderuar ushtrinë dhe shtetin, duke qenë e përkushtuar për të ndihmuar dhe shpëtuar jetët e njerëzve.
“Kjo dekoratë është vlerësim ndaj përpjekjeve dhe përkushtimit të tyre të palodhshëm për t’u shërbyer qytetarëve pa dallim përkatësie, sikurse dhe për mbrojtjen, ruajtjen dhe afirmimin e vlerave tona. Të nderuar ushtarë, ju keni demonstruar më të mirën e ushtrisë sonë, ndaj puna juaj pasqyron vlerat më të larta të kombit tonë”, deklaroi Osmani.
E ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, shprehu mirënjohje për ndihmën që e ofroi Kosova.
“Jemi mirënjohës ndaj juve zonja presidente dhe ndaj Qeverisë së Kosovës dhe gjithashtu jemi falënderues ndaj popullit të Kosovës që na ka zgjatur dorën dhe na ka ndihmuar në kohët tona të vështira, materialisht dhe moralisht. Ky akt i mbështetjes na tregon edhe një herë se raportet vëllazërore dhe shoqërore në mes të shteteve tona janë shumë të forta, kështu që faleminderit”, ka thënë Angili.
Udhëheqësi i kontingjentit, kapiteni Egzon Syla, tregoi për sfidat që pjesëtarët e FSK-së kishin gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti.
“Sakrificat që kishin pjesëtarët tanë për të arritur të shpëtojnë jetët e njerëzve na kanë bërë të ndihemi mirë të gjithë, sidomos mua si komandant i kontingjentit. Kjo mua më ka bërë të besoj se Kosova kurdo që ka nevojë ka djem dhe vajza që janë në gjendje të sakrifikojnë edhe më të shtrenjtën për atdheun”, ka thënë Syla.
Pas tërmetit që la të vdekur mbi 41 mijë persona, 39 ushtarë të FSK-së me 6 shkurt shkuan në Turqi në mision të kërkim-shpëtimit, ku arritën të nxirrnin nga rrënojat 4 të mbijetuar.
Një natë më parë, të hënën mbrëma, ata u kthyen në Kosovë. Në Aeroportin e Prishtinës u pritën nga kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe nga komandanti i FSK-së, Bekim Jashari. Ushtarët u nderuan me medalje, si dëshmi e vëmendjes dhe e mirënjohjes së Qeverisë për guximin e treguar në zonat e tërmetit.