LAJMET E MBRËMJES

Ndalohet përdorimi i TikTok-ut në pajisjet zyrtare e rrjetin shtetëror të internetit

Si masë për të shmangur rreziqet e sigurisë kibernetike, Qeveria e Kosovës i ka vënë ndalesë përdorimit të Tik-Tokut nga pajisjet zyrtare dhe rrjeti shtetëror i internetit. Në Ministrinë e Brendshme thanë se nuk e posedojnë numrin e zyrtarëve që përdorin këtë aplikacion në pajisje të punës, teksa sqaruan se qasja në të nuk do të ndalohet nga pajisjet dhe rrjetet personale të internetit

Zyrtarëve publikë u është ndaluar përdorimi i rrjetit shtetëror të internetit dhe i pajisjeve zyrtare për t’u kyçur në “Tik-Tok”. Ky vendim, i marrë të premten në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, u vlerësua si masë parandaluese karshi rreziqeve të sigurisë kibernetike.

Bardhyl Dobra, zëvendësministër i Punëve të Jashtme, tha se Qeveria nuk e posedon numrin e zyrtarëve që e kanë të instaluar këtë aplikacion në pajisjet zyrtare, por shtoi se përdorimi i tij nuk është i ndaluar në pajisjet dhe në rrjet personal të internetit.

“Jemi duke kujdesur që të kemi masa parandaluese dhe mos të vijmë në ndonjë situatë kur kemi sulme dhe të merremi me pasojat. E thash se në pajisje personale lejohet të përdoret TikToku, por nuk lejohet që të përdoret rrjeti shtetëror për qasje në internet e të tjera. Ndalohet në pajisje zyrtare dhe të përdoret rrjeti shtetëror për të”, ka bërë të ditur Dobra. 

Krahas kësaj, në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe Strategjia Shtetërore kundër Drogave. Dobra theksoi se me zbatimin e kësaj strategjie synohet ulja e konsumimit të drogës si dhe zvogëlimi i pasojave që i shkakton.

“Ky dokument përcakton nevojën për rritjen e aktiviteteve parandaluese të përdorimit të drogave, sidomos te mosha të hershme pastaj trajtimin adekuat të personave që përdorin drogë dhe personave me çrregullim të përdorimit të substancave si dhe bashkëpunim në mes të institucioneve të ndryshme e veçanërisht nevojën për të dhëna specifike në monitorim të rregullt në këtë fushë”.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e së premtes miratoi po ashtu udhëzimin administrative për tarifat e Produkteve, Shërbimeve Kadastrale Gjeodezike dhe Regjistrimit të Pronave, që, mes tjerash, parasheh unifikim të tarifave dhe zbritje për studentë, nëna vetushqyese, persona me aftësi të kufizuara, me asistencë sociale për viktima të dhunës në familje e për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.