LAJMET E MBRËMJES

NATO-ja ndali gjenocidin serb e shfarosjen e popullit të Kosovës

Me një seancë të veçantë Kuvendi i Kosovës ka shënuar 23-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Seanca ka nisur me një minutë heshtje në nderim të ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën.

Të gjitha adresimet para deputetëve janë përcjellë me falënderime për ish-sekretaren amerikane, kontributi i së cilës për Kosovën është vlerësuar si i pazëvendësueshëm.

Deputetët kanë ndjekur edhe një video të disa fjalimeve të saj për çështjen e Kosovës.

“Për aq kohë sa kjo është zgjedhja juaj, Kosova do të mbetet shtëpia juaj”, kishte thënë ajo gjatë vizitës së saj në Kosovë pak pas përfundimit të luftës në vitin 1999”, kishte deklaruar Madeleine Albright, ish-sekretare e SHBA-së.

23 vjet më vonë, me një video deputetëve iu është adresuar ish-komandanti i NATO-s, në atë kohë gjenerali Wesley Clark, i cili ka thënë se 23 vjet më parë NATO-ja ka bërë gjënë e duhur.

“Jam shumë krenar për të gjithë ju në Kosovë, për demokratizimin që keni bërë, për zhvillimin ekonomik sfidues që keni ndërmarrë dhe veçanërisht mirënjohës për miqësinë e jashtëzakonshme që keni treguar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për mua ishte nder të jem komandant i NATO-s dhe që pata mundësinë të ndihmoja në ndalimin e spastrimit etnik”, tha Clark.

Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se ndërhyrja e NATO-s ka qenë e domosdoshme, derisa ka shtuar se tash është koha që Kosova të anëtarësohet në këtë aleancë.

“NATO-ja ndërhyri në Kosovë për arsye e me qëllime humanitare për të shpëtuar një popull nga shfarosja, ishte ndërhyrje legjitime, për shkak se Millosheviqi nuk shprehte gatishmëri për të përmbushur kërkesat dhe detyrimet që buronin nga rezolutat e miratuara në OKB dhe as nuk hiqte dorë nga operacionet ushtarake dhe nga politika e spastrimit etnik në Kosovë”, u shpreh Kurti.

Ndërsa përfaqësuesit e partive politike në Kuvend kanë vlerësuar lart ndihmën e NATO-së për çlirimin vendit.

“Kjo ditë e shënon edhe Epopenë e UÇK-së në Gllogjan të Dukagjinit, kjo ditë gjithashtu na tregon që intervenimi i forcave veriatlantike i dha mbështetje luftës së drejtë të UÇK-së për liri”, pohoi Mimoza Kusari-Lila nga LVV-ja.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nuk mund të kuptohet kjo datë pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pa udhëheqësit e saj, si presidentin Hashim Thaçi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, e shumë protagonistë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkohë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se NATO-ja ndaloi spastrimin etnik të Kosovës, si dhe vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve pa dallim. “Dhunimet sistematike gjithandej nëpër Kosovë, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë nuk mund të merrnin përgjigje tjetër përveç intervenimit të tillë”, tha ai.

Në seancën për shënimin e 24 marsit nuk kanë marrë pjesë deputetet e AAK-së e ata të Listës Serbe.

Në nderim të Epopesë së Dukagjinit’ dhe fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, deputetët e AAK-së e përfaqësues të tjerë të politikë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.