LAJMET E MBRËMJES

NATO-ja autorizon forca shtesë për adresimin e situatës aktuale në Kosovë

Aleanca Veriatlantike e NATO-s ka autorizuar forca shtesë për adresimin e situatës aktuale në Kosovë. Nëpërmjet një deklarate, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg, nuk i përmendi ngjarjet e fundit në Banjskë, porse theksoi që autorizimi për forca shtesë u bë pas takimit të së enjtes të Këshillit të Atlantikut të Veriut, që është trupi më i lartë i NATO-s

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka lëshuar të premten një deklaratë ku njofton se është takuar Këshilli i Atlantikut të Veriut, trupi më i lartë i Aleancës, për të diskutuar mbi situatën në Kosovë.

Ai thotë se aleatët e shprehën shqetësimin e tyre të thellë për rritjen e tensioneve në Kosovë. Është kjo hera e parë që shefi i NATO-s shprehet rreth ngjarjeve në Kosovë, që ndodhën të dielën, por ai në asnjë vend nuk e përmend sulmin ndaj Policisë së Kosovës, i cili ndodhi atë ditë.

Shumë qarqe diplomatike ishin në pritje për të parë se çfarë ka për të thënë NATO-ja për ato që ndodhën, pasi në sulme ishte përfshirë një grup i madh i armatosur dhe u gjet një sasi shumë e madhe e armatimit në një vend ku NATO-ja e ka misionin e vet më të gjatë në histori.

Në deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s vetëm përmenden hapat që ka ndërmarrë Aleanca kohëve të fundit rreth misionit të KFOR-it për të kryer mandatin në Kosovë dhe hapat që do të ndërmarrë në të ardhmen.

“Misioni i KFOR-it i NATO-s ka një prani të dukshme dhe agjile në tërë Kosovën. Gjithmonë do të ndërmarrim veprime të domosdoshme për të ruajtur një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne do ta bëjmë këtë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, ka deklaruar Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenberg më tej thotë se nga muaji maj është rritur prania e KFOR-it, ndërsa Këshilli i Atlantikut i Veriut, në takimin e djeshëm, ka autorizuar forca shtesë për të, siç thuhet, adresuar situatën aktuale.

“Ne gjithmonë do të sigurojmë që komandanti i KFOR-it të ketë burime dhe fleksibilitet të nevojshëm për KFOR-in, në mënyrë që të kryejë mandatin e vet. Mbetemi të gatshëm të bëjmë ndryshime të mëtejme të pranisë së KFOR-it, sipas nevojës”.

Në komunikatë përsëritet se KFOR-i vazhdon të jetë në kontakte të ngushta me faktorët relevantë në Beograd dhe Prishtinë, si dhe me misionet e EULEX-it, OSBE-së dhe OKB-së, si dhe me bashkësinë diplomatike.

“U bëjmë ftesë palëve që të deeskalojnë situatën urgjentisht. Ne vazhdojmë të kërkojmë nga Beogradi dhe Prishtina që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si rrugën e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe të gjejnë zgjidhje të cilat i respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, ka theksuar Stoltenberg.