LAJMET E MBRËMJES

Naftëtarët ankohen për kufizim të fitimit, thonë se vendimi i MINT-it do t’i falimentojë

Shoqata e Naftëtarëve po e kundërshton vendimin e Ministrisë së Tregtisë për caktimin e çmimit tavan për derivate. Sipas saj, me këtë vendim do të falimentojnë shumë biznese. E në Ministri kanë bërë të ditur se janë duke i monitoruar çmimet në pikat e karburanteve dhe se do të marrin masa për ata që nuk e respektojnë vendimin

Një ankesë kundër vendimit të Ministrisë së Tregtisë për kufizim të fitimit të naftëtarëve është deponuar të hënën nga Shoqata e Naftëtarëve.

Ajo ka kundërshtuar kufizimet, duke thënë se vendimi do të ketë efekt shkatërrues për kompanitë e naftës në Kosovë.

Sipas ankesës së siguruar nga KOHA, Shoqata ka konstatuar se ky vendim është marrë pa asnjë analizë të ndikimit të vendimeve të 2022-s dhe pa asnjë justifikim. Për pasojë, sipas ankesës, vendimi i obligon kompanitë të punojnë sërish me humbje dhe i çon drejt falimentimit.

“Industria e naftës për shkak të inflacionit të përgjithshëm, është duke u ballafaquar me rritje të enorme të kostove të produkteve të naftës qoftë të pagave, normave të interesit, shpenzimeve të mirëmbajtjes etj. Kjo, e kombinuar me kufizim të marzhës së fitimit do të ketë shkatërruese për kompanitë e naftës”, thuhet në ankesën e Shoqatës së naftëtarëve.

Vendimi i Ministrisë së Tregtisë do të hyjë në fuqi të martën. Gjatë së hënës, në shumicën e pikave të karburanteve çmimi i një litre nafte ishte 1.43 euro, ndërsa 1.47 euro për një litër benzinë.

Sipas Inspektoratit të MINT-it, nga nesër inspektorët e tregut së bashku me inspektorët e ATK-së do të fillojnë monitorimin konform vendimit.

Vendimeve të tilla, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna do të duhej t’u paraprinte një studim paraprak, për të parë nëse është e nevojshme një masë e tillë.

“Duhet të bërë një hulumtim, të ketë një dialog me Shoqatën e naftëtarëve që është pjesë e Odës dhe pasi t’i shtjerrë të gjitha mundësitë të vije së bashku me Shoqatën e naftëtarëve me një vendim për të parë nëse ka hapësirë ose jo, e jo apriori pa konsultim dhe pa bërë një analizë të rëndësishme sa i përket çmimit të naftës pasi që po dëmtohen bizneset”, ka thënë Rafuna.

Ministria e Tregtisë ka kthyer masën e kufizimit të fitimit për naftëtarët, pas evidentimit se rritja e çmimeve nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror.

Sa u përket çmimeve të rajonit, Maqedonia ka çmimin më të lirë, ku një litër naftë kushton 1.18 euro, ndërsa në Shqipëri kushton më së shtrenjti. Një litër naftë tregtohet me 1.79 euro, por që aty përfshihen edhe taksa të tjera, ndërsa Maqedonia ka akcizë më të ulët për naftë.

Kufizim të marzhës së fitimit pati edhe më herët, kur për shitjet me shumicë lejohej fitimi prej 2 centë për litër, kurse për shitjet me pakicë, 12 centë për litër. Marzhë e njëjtë është vendosur edhe tash.