LAJMET E MBRËMJES

Myftiu Tërnava përçoi mesazh kundër vrasjeve dhe për përkujdesjen ndaj prindërve

Ndalimi i vrasjeve ishte mesazhi kryesor i kreut të BIK-ut, myftiut Naim Tërnava në faljen e namazit të Fitër Bajramit. Ai tha se vrasja është e palejuar në islam, pavarësisht motiveve. Tërnava theksoi edhe rëndësinë e përkujdesjes për prindërit. Pohoi se mospërkujdesja për prindërit në ditët e sotme është e barasvlershme me dhunën ndaj tyre.

Pas një muaj agjërimi besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin.

Besimtarët u mblodhën që para orës 7 në Xhaminë e madhe në Prishtinë e në shumë xhami të tjera në vend për ta falur namazin e Fitër Bajramit. 

Në kohën kur për dy javë në Kosovë kanë ndodhur katër vrasje, porosia e Bashkësisë Islame ishte parandalimi i tyre. 

Kreu i Bashkësisë Islame, myftiu Naim Tërnava, tha se vrasja në fenë islame është gjynah i madh.

“Pavarësisht motiveve dhe rrethanave, në islam vrasja është akt i ndaluar, i shëmtuar dhe është një nga gjynahet më të mëdha. Feja islame i jep shumë rëndësi jetës së njeriut dhe mbrojtjes së saj. Kurani e potencon qartë ndalimin e vrajës së tjetrit pasi aty thuhet kush vret një njeri pa të drejt është sikurse të ketë vrarë gjithë njëzimin dhe kush shpëton jetë është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin, andaj edhe një herë apelojmë për respektimin e jetës së çdo individi dhe për ndalimin e dhunës ndaj të pafajshmëve”, tha Tërnava

Ai tha po ashtu se të gjithë duhet të jenë unikë në paqe, tolerancë dhe mirëkuptim. 

Tërnava theksoi rëndësinë e përkujdesjes për të moshuarit, teksa theksoi se mungesa e përkujdesjes është e barasvlershme me dhunën ndaj tyre.

“Sot pothuajse për çdo ditë kemi shumë prindër të braktisur, të lënë e të harruar nga fëmijët dhe të afërmit e tyre. Ata kanë mbetur pa përkujdesje gjë e cila po e rëndon jetën e tyre deri në ekstrem. Pse po ndodh kjo, këtë pyetje duhet bërë vetes dhe shoqërisë sonë, këtu në Kosovë dhe kudo që jetojnë vëllezërit dhe motrat tona. Nuk konsiderohet dhunë vetëm dhuna fizike ndaj prindërve, mospërkujdesja është dhunë ndaj tyre”, tha ai.

Myftiu Tërnava komentoi edhe politikisht duke kundërshtuar idenë e njohjes ligjore të prindërve të seksit të njëjtë, përdorimin e termeve “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, si dhe përsëriti kundërshtimin e propozimit për miratimin e surrogacisë në kuadër të Ligjit për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (IVF). 
Tërnava u shpreh kundër nënave surrogate të cilat bartin fëmijën e një çifti tjetër me marrëveshje të veçantë me çiftin, duke i quajtur me termin “nëna me qira”.  

Besimtarët myslimanë në gjithë botën kremtojnë përkushtimin e tyre ndaj Zotit, pas një muaji sakrifice dhe devotshmërie.