LAJMET E MBRËMJES

Mustafa: UÇK-ja nuk kishte kontroll efektiv në Zonën Operative të Llapit

Në Gjykatën Speciale ka nisur dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit. Ai tha se në këtë zonë, UÇK-ja nuk kishte kontroll efektiv.

Në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, në Gjykatën Speciale ka nisur dëshminë ish-komandanti Rrustem Mustafa, i njohur si Remi.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, bëri të ditur se 12 orë i ka në dispozicion prokuroria për ta intervistuar, 23 orë mbrojtja e të akuzuarave dhe një orë mbrojtja e viktimave.

Mustafa është pyetur nga prokurorët kryesisht për strukturën organizative të Zonës Operative të Llapit, ku ai ishte komandant. Ai tha se UÇK-ja nuk kishte kontroll efektiv në këtë zonë.

“Në cilën anë të kësaj vije e kishit ju kontrollin, lindje apo perëndim, cila anë”, ka pyetur prokurorja Claire Lawson.

“Kontroll efektiv nuk kishte asnjëra anë, por perëndimin e synonim, ishim prezent”, është përgjigjur Mustafa.

Mustafa e cilësoi si interpretim të gabueshëm një pjesë të transkriptës së intervistimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ku thuhej se Shtabi i Përgjithshëm kishte caktuar Kadri Kastratin si zëvendëskomandant të Zonës Operative të Llapit.

“Unë e kam caktuar, por shtabi i përgjithshëm e ka miratuar pozicionin tim, të zotit Kastrati dhe shumë pjesëtarë të tjerë të komandës sime janë miratuar nga Shtabi i Përgjithshëm”, ka deklaruar Mustafa.

Remi u pyet edhe për sektorët që ishin në kuadër të Zonës Operative të Llapit, kush i udhëhiqte këta sektorë dhe kujt i raportonin. Ai ka deklaruar se zyrtarët për informim me publikun i ka caktuar vetë dhe se të gjithë i raportonin atij dhe hierarkisë udhëheqëse brenda Zonës Operative.

“Njëjtë sikur të gjithë sektorët, shtabit të zonës, ku komandant isha unë”, ka thënë Mustafa.

Rrustem Mustafa është i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për krime lufte. Atij iu patën shqiptuar 4 vjet burgim, për mbajtjen e civilëve në kushte çnjerëzore duke i privuar nga higjiena, uji, ushqimi dhe trajtimi i nevojshëm mjekësor.