Partia Demokratike ka bërë thirrje që Prokurori i Shtetit të ndërmarrë hetime mbi dyshimet për keqpërdorim me subvencionet për bujqësi. Deputetja e këtij subjekti, Ganimete Musliu, e akuzoi partinë për rrënim të parlamentarizmit, pasi, siç tha, i shpërfilli kërkesat opozitare për raportim të ministrave Faton Peci dhe Liburn Aliu në Komisionin Parlamentar për Mjedis dhe Bujqësi
Deputetja e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu, ka kërkuar hetim nga Prokurori i Shtetit për ato që i kualifikoi shkeljet ligjore me ndarjen e subvencioneve për Bujqësi.
Në konferencë për shtyp të mërkurën, ajo ngriti dyshime për shkelje e abuzime teksa e akuzoi deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, se e ka parandaluar llogaridhënien në Komisionit për Mjedis dhe Bujqësi, të cilin edhe e kryeson.
Ndërlidhur me këtë, Musliu kërkoi që pushteti të japë llogari për formën e shpërndarjes së subvencioneve.
“As Fitore Pacolli, as ministrat abuzivë dhe as kryeministri që ka instaluar një mendësi shkatërruese nuk mund të ndihen komodë, sepse që të gjithë duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve për çdo veprim dhe për çdo shpërndarje të fondeve të dedikuara për t’i subvencionuar bujqit dhe fermerët e Kosovës të cilët fitojnë me mund e djersë bukën e gojës… Kërkojmë nga organet kompetente t’i shqyrtojnë seriozisht dhe t’i hetojnë këto raste të nepotizmit, të konfliktit të interesit dhe shkeljeve ligjore”, ka theksuar ajo.
Musliu tha se Pacolli gjatë tërë vitit e parandaloi raportimin e ministrit të Bujqësisë e Pylltarisë, Faton Peci, dhe atij të Mjedisit e Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Gjatë gjithë vitit 2024, asnjëherë nuk e ka ftuar na raportim ministrin Peci përkundër faktit që ka pasur propozime dhe kërkesa të vazhdueshme nga anëtarët e tjerë të komisionit. Njëjtë ka vepruar edhe me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu”, ka deklaruar ajo.
Lidhur me akuzat që i janë drejtuar nga Musliu, KOHA ka kontaktuar deputeten Pacolli, porse ajo nuk ka qenë e qasshme gjatë ditës.
E Musliu, krahas subvencioneve në Bujqësi, ka akuzuar partinë në pushtet edhe për atë që e quajti tendencë për ta eliminuar kontrollin parlamentar mbi Qeverinë.