LAJMET E MBRËMJES

Murati: Rreth 700 mijë përfitues të shtesave, 60 qytetarë hoqën dorë nga to

Qeveria ka formalizuar vendimin për ndarjen e shtesave të njëhershme prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët. Ministri Hekuran Murati tha se nga vendimi do të përfitojnë 700 mijë qytetarë dhe se janë bërë përgatitjet që kjo shumë të ekzekutohet gjatë ditës.

Mundësisë për të hequr dorë nga shtesa e njëhershme prej 100 eurosh, që Qeveria ka ndarë për fëmijët dhe pensionistët, i janë përgjigjur 60 qytetarë.

E, janë 700 mijë që do të përfitojnë nga vendimi.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, paralajmëroi pas mbledhjes së Qeverisë se shuma për secilin përfitues do të ekzekutohet të premten.

“Jemi duke bërë përgatitjet, listat janë përgatitur në mënyrë që të provojmë gjatë ditës sot të bëhet edhe ekzekutimi i këtyre shtesave. Pra, përveçse pagat të cilat gjithashtu sot priten të ekzekutohen për sektorin publik, pritet që gjatë ditës të bëhet edhe ekzekutimi për fëmijët dhe pensionistë, pra shtesat e njëhershme”, tha Murati.

Vendimi për shtesat prej 100 eurosh u kritikua nga opozita. Pas kësaj është krijuar platforma për ata që duan ta refuzojnë.

Ministri Murati arsyetoi veprimin.

“Ka qenë si rrjedhojë dhe nevojë e kërkesave apo edhe ankesave që kemi pasur që disa kanë thënë pse t’i marr unë nëse nuk kam nevojë. Gjithsesi listat janë automatike, të gjithë ata që kanë përfituar nga shtesat e fëmijëve apo që përfitojnë nga shtesat pensionale pa pasur nevojë të aplikojnë në mënyrë automatike gjenerohen listat”, deklaroi ai.

E, në mbledhjen e Qeverisë kryeministri Albin Kurti listoi dhjetë arritjet më të mëdha gjatë vitit. Në mesin e tyre përmendi rritjen e pensioneve për 20 për qind dhe rritjen e shtesave për fëmijë.

“I kemi dyfishuar dhe trefishuar shtesat për fëmijë, përkatësisht dyfishim të shtesave për familjet që kanë një ose dy fëmijë, kurse trefishim për familjet që kanë tre ose më shumë fëmijë. Po ashtu sikurse vitin e kaluar u kemi ndarë edhe një mbështetje shtesë për fundvit në vlerë prej 100 eurosh. Gjithsej për mbi 400 mijë fëmijë të vendit tonë”, tha Kurti.

Kjo mbledhje e kabinetit qeveritar pritet të jetë e fundit për 2024-n.