Me kritika dhe debate me tone të larta është përcjellë mbledhja e Komisionit për buxhet të hënën. Deputetët e opozitës kanë kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për keqmenaxhim të parasë publike dhe kërkuan sqarime për nivelin e ulët të investimeve kapitale. Përplasje Murati pati edhe me bashkëpartiakun e tij, Eman Rrahmani
Dyfishimi i pagesave avancë për investime kapitale dhe niveli i ulët i realizimit të projekteve kanë përplasur ministrin e Financave, Hekuran Murati, me deputetin e LDK-së, Avdullah Hoti.
Gjatë debatit mbi 3-orësh në Komisionin për Buxhet të hënën, Hoti ka kërkuar llogari për rritjen e shpenzimeve për avancë në mbi 88 milionë euro, nga 47 milionë sa ishin një vit më parë.
Këto shpenzime, Murati i arsyetoi me blerjet që janë bërë për armatim, derisa kritikat për nivelin e ulët të investimeve kapitale i zhvendosi duke fajësuar komunat e udhëhequra nga LDK-ja.
“Nëse e shohim në nivelin lokal e kemi komunën e Prishtinës dhe Fushë-Kosovës që udhëhiqen nga ju, që janë më të dobëtit në realizimin e projekteve...I përmende shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, shihini vitet e kaluar dhe patjetër që kur i krahasoni me vitin kur ka qenë pandemia, prej mbi 11 milionë euro kjo ka rënë në 5.2 milionë euro, ju lutemi mos bënë propaganda të tilla. Ju nuk keni ble armatim”, ka deklaruar Murati.
Me këtë nuk u pajtua Hoti, duke thënë se në kohën e qeverisjes nga LDK—ja është bërë plani 10-vjeçar për FSK-në.
“Mos fol kot se reagoj ndryshe, kush e ka bërë FSK-në, nuk mund të flasësh kështu. Kur them ku kanë shkuar avancat, shih çfarë flet ky mashtrues. Ky mashtruesi tash e arsyeton vendimin për subvencionim për energji, këtë nuk e ki paraqitë në raport. Qysh m’u arsyetu, ku 41% të buxhetit e keni dërguar në subvencione, kur doni me bë Zvicër ose Kroaci që keni premtuar”, ka theksuar Hoti.
Ndërsa deputeti i PDK-së Ferat Shala ka pyetur nëse është e vërtetë që Ministria e Tregtisë ka shpenzuar mjete për të blerë mall i cili nuk ka ardhur për më shumë se një vit.
Në pyetjen e deputetit nga PDK-ja, Murati tha se nuk është në domenin e Ministrisë që ai drejton që të japë sqarime.
Pos me deputetët opozitarë, një përplasje Murati e pati edhe me bashkëpartiakun e tij, Eman Rrahmani.
“Këshilltarë politikë ka më pak se secili ministër para meje. E tërë Qeveria ka më pak sesa deputetët që kanë asistentë”, theksoi Murati.
Rrahmani i ka thënë Muratit të mos flasë të pavërteta.
“Mos fol të pavërteta se nuk kanë marrë të gjithë deputetët. Nuk mund të flasësh të pavërteta, edhe nëse i marrim të gjithë, ju sërish më shumë se deputetët që kanë. Sa këshilltarë janë gjithë komplet nëse jep kësi vlerësime. Ku ke problemin me deputetë, pse duhesh t'i sulmosh sa herë vjen në komision? Sa është numri”, ka deklaruar Rrahmani.
Raporti financiar pritet të votohet pasi të shqyrtohet edhe raporti i auditimit të shpenzimeve për vitin 2022.