LAJMET E MBRËMJES

Mungesa e ndihmës për Ukrainën trimëron Putinin për konflikte në Ballkan

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nga Tirana e ka përsëritur thirrjen që Perëndimi të mos vonohet me dërgimin e armatimit. Në margjinat e samitit “Ukraina-Evropa Juglindore” u tha se ndalja e ndihmës për Ukrainën e trimëron presidentin rus, Vladimir Putin, që të nxisë konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor. Kosovën në samit e përfaqësoi presidentja Vjosa Osmani, e cila foli për mundësinë e marrjes së njohjes nga shteti që ndodhet në luftë me Rusinë prej dy vjetësh

Dështimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Ukrainë, do të thotë siguri për të gjithë Evropën, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në vizitën e tij të parë në Shqipëri.

Në dyvjetorin e nisjes së agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, kryeqyteti i Shqipërisë të mërkurën ishte nikoqir i samitit “Ukraina-Evropa Juglindore”, ku temë qendrore ishte mbështetja që vendet e Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor mund t’i ofrojnë Ukrainës për ta vazhduar rezistencën karshi agresionit rus.

Në konferencën e përbashkët, Rama e Zelensky kanë vënë theksin te domosdoshmëria që Perëndimi të jetë unik dhe të mos vonohet në ndihmë ushtarake.

“Shumë njerëz në mbarë Evropën që deklarojnë se të mbështesim Ukrainën për ta mbrojtur kombin është ajo që po nxit vazhdimësinë e luftës. Ato pretendojnë se ndalja e dhënies së armëve Ukrainës, do të sjellë paqe. Kjo jo vetëm është cinike por dhe absurde sepse ndal luftën duke çarmatosur viktimën. Ja pse dua për përfitojë nga ky rast tu them të gjithë atyre që duan të lexojnë se Ukraina meriton të mbështetet dhe ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme për tu siguruar se çdo paqe që vjen pas kësaj lufte të jetë një paqe e drejtë”, ka deklaruar Rama.

E, Zelensky tha se ndalja e ndihmës për Ukrainën nënkupton rrezik për Ballkanin.

“Ka shembuj të rëndësishëm se jemi bashkë, kjo është mënyrë për mbrojtje, për paqe dhe defintivisht jo mënyra për luftë. Nuk duhet tu kushtojmë vëmendje provokimeve sepse ato shkaktojnë ndasi. Ky samit sot ishte bashkim. Shtetet e Ballkanit duhet të jenë bashkë, sepse Rusia do të bëjë gjithçka për ta destabilizuar Ballkanin. Rusia nuk do të ndalet. Ata do të përdorin taktika tjera, do të tentojnë dhe mendojnë se mund të kenë sukses duke nxitur konflikte edhe në vende tjera, sidomos ato më të vogla sikurse janë Moldavia, vendet e Baltikut dhe vendet e Ballkanit”, ka thënë Zelensky.

Samiti nisi me takimin bilateral mes Ramës dhe Zelenskyt, ku u nënshkrua “Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri - Ukrainë.

Me ndarjen e dekoratës "Urdhri i Princit Jaroslav i Urti” nga Zelensky për Ramën, punimet e Samitit vijuan në Pallatin e Brigadave, ku u mirëpritën liderët e rajonit.

Mes tyre ishte edhe presidentja Vjosa Osmani që përfaqësoi Kosovën në Samit. Ajo tha se prezenca aty është konfirmim i mbështetjes për Ukrainën që Kosova ka ofruar prej dy vjetësh, duke u rreshtuar krah Perëndimit edhe në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Osmani ka folur edhe për njohjen e mundshme të pavarësisë nga Ukraina.

“Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje lufte, duke luftuar për liri. Jam e bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, ka deklaruar Osmani.

Aleksandër Vuçiq ishte lideri i vetëm që shteti të cilin e përfaqëson nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Ai nuk u përgjigj para gazetarëve serbë nëse Beogradi po e konsideron vendosjen e këtyre masave ndaj aleatit të saj historik.

Solidariteti dhe mbështetja për Ukrainën u konfirmuan edhe në deklaratën e përbashkët në fund të Samitit. Aty u dënua edhe paralajmërimi i Rusisë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet e pushtuara të Ukrainës.