Mungesa e ministrit të Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka shkaktuar përplasje në mes të deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës. Këta të fundit e kanë quajtur ministrin mashtrues e të papërgjegjshëm. Kritikave të tyre u është bashkuar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani. Mungesa e Muratit ka lënë pa shqyrtuar Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2021
Mungesa e ministrit të Financave, Hekuran Murati, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka lënë pa shqyrtuar Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2021. Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk kanë pasur njoftim nga kabineti i ministrit për mungesë ose shtyrje të mbledhjes dhe ka theksuar se Raporti s’mund të shqyrtohet pa praninë e tij.
“E kam diskutuar sot me stafin, në momentin kur e kam parë lajmin që ministri Murati është për vizitë në Shqipëri. Nuk kemi pasur asnjë njoftim që nuk vjen ose kërkesë për shtyrje ose diçka tjetër. Prandaj ne nuk kemi mundësi ta shqyrtojmë Raportin Vjetor të Auditimit pa prezencën e ministrit”, është shprehur Bajrami.
Mungesën e ministrit e ka arsyetuar deputetja nga radhët e pushtetit, Arta Bajraliu. “Nuk është e nevojshme të vazhdojmë të bëjmë politikë me çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me Raportin dhe as nuk duhet të jemi paragjykues ndaj asaj pse ministri nuk ka ardhur në Komision. Ne e kemi parë që është për vizitë urgjente në Portin e Durrësit. Neve na kanë thënë nga Zyra e ministrit që e kanë njoftuar Komisionin, por ka mundur të ketë ndonjë keqkuptim”, ka thënë ajo.
Mosprezenca e Muratit ka shkaktuar përplasje verbale në mes të pushtetit e opozitës.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se disa nga gjetjet e Raportit janë elemente që duhet të dërgohen në Prokurori. Ka ngritur këtu një paralele në mes të mospagesës së mësimdhënësve që kanë qenë në grevë e pagesën e 200 pjesëtarëve të komunitetit serb, që nuk kanë qenë në punë nëpër institucione të vendit.
“Një ministër që sot pikërisht në prag të dimrit i ndal pagat e mësimdhënësve, në të njëjtën kohë kemi pagat e rreth 200 qytetarëve të Kosovës nga komuniteti serb që janë paguar gjatë tërë 2021-s dhe nuk kanë shkuar asnjë ditë në punë. Ky ministër është adoleshent, është i papërgjegjshëm, dhe nuk besoj që ka guximin të vijë dhe të ballafaqohet me të shkelurat që i ka bërë gjatë vitit 2021”, ka deklaruar Beqa.
Ai i ka quajtur “analfabetë funksionalë e mashtrues” zyrtarët e shtetit.
“Duhet të ju vijë marre ku e keni sjellë vendin, ku e keni sjellë popullin, me një mashtrues të vogël si Murati, e me një kryemashtrues që nxit, se ju më shumë jeni me shku në psikiatri, sesa me qeveris, për zotin me shku në Psikiatri nuk ju lëshojnë prej spitalit, keni nevojë për diagnoza psikiatrike”, ka theksuar Beqa.
Deputetja e Vetëvendosjes, Mirlinda Sadiku, ka kërkuar që Beqa të dënohet për gjuhën e përdorur.
“Me më thanë ‘a je e sëmurë psikik’ nuk ka të drejtë as politike as profesionale, ju si kryetare duhet ta dënoni gjuhën e tij”, është shprehur ajo. Pas kësaj përplasjeje Bajrami e ka mbyllur mbledhjen.
“Ministri sot nuk ka ardhur të raportojë këtu, ka aranzhuar takim te Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere. Unë në këtë atmosferë nuk e vazhdoj mbledhjen më, për mua mbledhja është e mbyllur”, është shprehur Bajrami.
Përkundër kësaj, me kryesimin e nënkryetares, Arta Bajraliu, deputetët e opozitës e kanë vazhduar edhe për pak mbledhjen.
ka bërë që Bajrami të kthehet në sallë. Ajo ka thënë se mbledhja s’mund të vazhdojë dhe se ajo e ka mbyllur.
Deputetja e Vetëvendosjes, Yllëza Hoti, ka thënë se vetëm janë duke e mbyllur mbledhjen si duhet.
Pas kësaj fjalën e ka marrë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani. Ai u është bashkuar kritikave të opozitës, duke thënë se ministri nuk ka asnjë arsye që të mos jetë në Komision.
“Janë duke e cenuar integritetin e secilit deputet duke mos marrë pjesë, edhe duke lajmëruar dy minuta para orës 11:00 që nuk vjen ministri, kjo është e turpshme për secilin. Neve po na pamundësohet me qenë funksional ky komision. Para kësaj nuk erdh ministri i Shëndetësisë, pas asaj nuk erdh ministrja e Arsimit, ose po e mbyllim këtë komision krejt”, është shprehur Rrahmani.
Në kohën kur ka qenë i planifikuar raportimi i Muratit në Komision, ai ka qenë për vizitë në Portin e Durrësit në Shqipëri, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.