E në Prishtinë, festa e 28 Nëntorit u shënua me numër të paktë qytetarësh nëpër sheshe. Me gjithë shiun, Prishtinën e zgjodhën si adresë kremte disa vizitorë nga Shqipëria
Të paktë ishin qytetarët që i frekuentuan sheshet e kryeqytetit për të shënuar 28 Nëntorin, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Moti me shi e zbehu pjesëmarrjen e tyre në organizimet që u përgatitën nga komuna për këtë ditë.
Por moti nuk u bë pengesë edhe për disa vizitorë nga Shqipëria, që e zgjodhën Prishtinën për kremte.
“Vlora është zemra e shqiptarisë dhe atje ka organizime në Vlorë, por organizimet duhet të jenë në Prishtinë dhe në Shkup. Shqiptarët duhet të festojnë në të gjithë trevat”, tha Krista Iziu, qytetar nga Fieri.
Për Festën e flamurit, Komuna e Prishtinës organizoi koncert në sheshin “Zahir Pajaziti”, si dhe e bëri shpalosjen e flamurit kombëtar.
Kryetari i Komunës, Përparim Rama, krahas vlerësimit për figurat e shquara kombëtare, e lartësoi edhe rolin e brezave të rinj në përfaqësimin e shqiptarëve përtej kufijve.
“Kemi sot figura të mëdha të mburremi me ta. Përveç Skënderbeut, Isa Boletinit, Adem Jasharit, Adem Demaçit e Ibrahim Rugovës, figura të ndryshme të heronjve tonë kombëtarë me vite me shekuj. Sot kemi edhe figura të reja, të cilët na bëjnë të mburremi, rinia jonë e ardhmja jonë ka ikona”, tha Rama.
Pos Ditës së Flamurit, të martën u shënua edhe 26-vjetori i daljes së parë në publik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E për këtë rast, betimin e ushtarëve të UÇK-së e bëri kjo vogëlushe.
“Si pjesëtar i UÇK-së betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftojë për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse e shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhton qoftë i humbur gjaku im. Betohem”, tha Melika Osmani.
Përveç Prishtinës, aktivitete të ndryshme u organizuan edhe në komuna të tjera. Në parkun e madh të Gjakovës, iu vu gurthemelit shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.