LAJMET E MBRËMJES

Mospajtime mes pushtetit e opozitës për dokumentet që nevojiten për hetimin e krizës energjetike

Pushteti e opozita në Komisionin parlamentar të themeluar për hetimin e menaxhimit të krizës energjetike nga Qeveria, nuk janë pajtuar për dokumentet që do të kërkojnë për procesin e hetimit. Deputetët opozitarë janë pajtuar që të kërkojnë dokumente nga KGJK-ja e Institucioni i Avokatit të Popullit. Por deputetët e pushtetit kanë thënë se në këtë fazë ato janë të panevojshme.

Kryetari i Komisionit, deputeti i LDK-së, Driton Selamnaj, ka thënë se duhet të kërkojnë dokumente nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës e Institucioni i Avokatit të Popullit. Ai ka theksuar se s’mund të kërkojnë aktgjykime për masë të përkohshme për vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit ose arsyetimet pse kanë marrë një vendim të tillë. Por, ka thënë se dokumente do të mund t’iu ofronte Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Por autoritet mbi ta (Gjykatën e Apelit e Gjykatën Themelore në Prishtinë v.j.) është KGJK-ja për dhënien e dokumenteve, kështu që jo që ne do t’i thërrasim në raportim ata, por do t’i shfrytëzojmë ne për t’i lexuar me kujdes dhe për të parë se si kanë ardhur deri te vendimi për shtrenjtim dhe pse kanë ardhur deri tek ai vendim. Kështu që me i pa si dokumente nuk na pengon asgjë. Përfshirë këtu edhe Avokatin e Popullit, ata kanë bërë një analizë, një dokument në lidhje nëse ka pasur elemente të diskriminimit gjatë vendimmarrjes apo jo”, është shprehur Selmanaj.

Kjo është kundërshtuar nga deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe ai i Apelit për pezullim të tarifave të ngritura janë publike.

“Besoj që ne për trajtim në kuadër të asaj çështjes që trajtohet në Komision i kemi të mjaftueshëm përderisa nuk ka trajtim të materies me të cilën është kërkuar të ndalet procesi i tarifës. Pra, ne kemi vetëm një vendim që është një ndalesë administrative, por nuk ka trajtim përmbajtjesor të materies. Në situatën aktuale, dhe nga përvojat e mëhershme edhe në komisionet hetimore, besoj që edhe Këshilli Gjyqësor, edhe Avokati i Popullit duhet të hiqen në këtë fazë”, ka theksuar Kusari-Lila.

Me këtë s’është pajtuar deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili ka thënë se Avokati do të mund të vlerësonte çështjen e diskriminimit të qytetarëve me anë të vendimit të ZRRE-së.

“Avokati i Popullit mund ta ndihmojë këtë proces, sepse ai ka nxjerrë disa opinione sa i përket diskriminimit dhe pikërisht për këtë, konsideroj që Avokati i Popullit do të duhej dhe nuk ka asgjë të keqe të jetë në një prej seancave tona për t’i elaboruar vendimet në vazhdimësi, vetëm për element krahasimi”, ka theksuar Shala.

Komisioni në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar planin e veprimit, si dhe pa praninë e mediave ka shqyrtuar CV-në e ekspertëve që do t’i angazhojë.

Themelimi i Komisionit hetimor për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria është kërkuar nga opozita. Ai është themeluar më 5 maj, pas një bojkoti disajavor të punës së Kuvendit nga opozita, si pasojë e kundërshtimit të tij nga ana e pushtetit.

Themelimi i Komisionit është bërë pas pajtimit në mes të pushtetit dhe opozitës që të themelohen dy komisione, njëri sipas kërkesës së opozitës për hetimin e menaxhimit të krizës në muajt e fundit, e tjetri me kërkesë të pushtetit, për çështjen e energjisë që nga viti 2006.