Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një deklaratë pas mbledhjes së Kryesisë, ka kërkuar që pagat për mësimdhënës të ekzekutohen më së largu deri të enjten. Po për këtë çështje ministri i Financave, Hekuran Murati, me propozim të deputetëve të AAK-së, është ftuar në interpelancë në seancën e Kuvendit që mbahet të premten
Nëse deri të enjten e kësaj jave nuk ekzekutohen pagat për mësimdhënësit grevistë, Partia Demokratike e Kosovës do të bëjë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri. Në deklarimin pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila është mbajtur të hënën, ai e ka quajtur Muratin arrogant e të padijshëm.
“Mosekzekutimi i pagave nga ministri është vepër penale dhe ne në Prokurorinë Speciale do të bëjmë kallëzim penal. Ne shpresojmë që të mos vijë fare deri aty, mirëpo ju e shihni që kemi një ministër shumë të papërgjegjshëm, kemi një ministër shumë arrogant, të padijshëm, një ministër që realisht nuk funksionon mbi bazën ligjore, por mbi teket e veta, me arrogancën e vet, me mbështetjen e kryeministrit. Kryeministri lejon që të mos ekzekutohen pagat duke shkaktuar edhe vepër penale”, është shprehur Tahiri.
Çështja e mosekzekutimit të pagave është edhe njëra nga temat për të cilat ministri Murati është thirrur në interpelancë nga grupi parlamentar i AAK-së. Ajo është njëra nga pikat e rendit të ditës në seancën që Kryesia e ka caktuar për të premten e kësaj jave. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, mosekzekutimin e pagave e ka quajtur vendim arbitrar.
“Interpelanca ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, ndërlidhet me vendimin e tij arbitrar për ndalimin e pagave, presionin që e ka bërë në pushtetin lokal gjatë grevës dhe po ashtu për ndërhyrjen në autonominë e komunave. Për ne roli i Qeverisë është të ndihmojë Kosovën në situata të vështira dhe jo me vendime arbitrare të pengojë punën e organizatave buxhetore”, ka deklaruar Tahiri.
Por, sipas shefes së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, Ligji për greva nuk parasheh kompensim për grevistët.
“Ligji për grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin për ata që janë në grevë. Ky ka qenë një komunikim i Ministrisë së Financave më të gjitha agjencitë buxhetore edhe për muajin e kaluar, kur është kërkuar azhurnimi i listave të punëtoreve që janë në grevë. Me Ligjin mbi grevën parashihet që punëtoret qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, ata të cilët janë pjesë e grevës së deklaruar sipas rregullave të parapara me ligj, nuk kompensohen për ditët të cilat nuk janë në vendin e punës”, ka deklaruar Kusari- Lila.
Lidhur me atë nëse do të ekzekutohen pagat ose jo, ajo ka theksuar se për këtë duhet të pyetet Ministria e Financave.
Në seancën e caktuar për të premten në rend dite është edhe një debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi, i cili është thirrur nga PDK-ja. Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se në Kosovë kurrë më parë nuk ka pasur kërkesa më shumë nga mjekët dhe stafi teknik shëndetësor, që ta lëshojnë vendin. Kjo gjendje, sipas tij, është alarmante.