LAJMET E MBRËMJES

MMPHI-ja themelon Task-Forcën e Gjelbër, Aliu: Menaxhimi i mbeturinave mbetet sfidë

Dita e Tokës ua ka sjellë në kujtesë udhëheqësve të disa ministrive se Kosova është duke u përballur me problemin global të mbeturinave e plastikës. Gjatë shënimit të kësaj dite ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se kanë themeluar një task-forcë për të mbrojtur ambientin në vend. E para Kampusit të UP-së është zbuluar një instilacion i krijuar nga plastika e riciklueshme.

“Muri apo Premtimi i Prirtë” është instilacioni, i cili është vendosur para Kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me rastin e Ditës së Tokës. 

Ky instilacion i ndërtuar përmes plastikës së ricikluar kishte për qëllim të shërbente si një reflektim mbi ndërgjegjen e shoqërisë për mjedisin. 

Me rastin e Ditës së Tokës, MMPHI-ja ka nënshkruar vendimin për themelimin e Task-Forcës së Gjelbër. 

E ministri Aliu tha se detyra themelore e dikasterit që ai drejton është ndërtimi i mekanizmave që dërgojnë në menaxhimin e mbeturinave duke përfshirë reduktimin e qeseve të plastikës.

“Kjo task-forcë po krijohet si një strukturë e veçantë dhe e përkohshme dhe do të merret me përmirësimin e nivelit të mbrojtës për lumenjtë, degradimin mjedisor, parqeve kombëtare dhe reduktimin e mbeturinave të plastikës”, tha Aliu. 

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë të ditur se kanë shënuar rënien e rasteve të dëmtimeve të hapësirave pyllëzuese. 

E gjatë shënimit të kësaj dite ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se janë duke punuar që në të gjitha institucionet arsimore të krijojnë hapësira të gjelbra.  

“Praktikat e mirëmbajtës e pyllëzimit në periudhën trevjeçare tani e tuje janë vendosur që në planin e mirëmbajtjes sipërfaqet e pyllëzuara për periudhën trevjeçare të ketë aspektin e kujdesit për çdo fidan të mbjellë. 28:28 Kemi iniciuar mbjelljen e 1 milion fidanëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe tash që po diskutojmë janë 1.5 milionë fidanë në një sipërfaqe 563 hektarë tokë”, tha Peci. 

“Një nga parimet bazë të infrastrukturës është siguria dhe krijimi i një ambienti të shëndoshë si fizik ashtu edhe psikologjik për nxënësit dhe stafin mësimor. Këtu përfshihen ambiente të gjelbëruara dhe hapësirat e krijimet artistike nga vetë nxënësit”, tha Nagavci. 

E gjatë shënimit të kësaj dite në Prishtinë kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, bashkë me drejtoreshën e Hapësirave Publike dhe Parqeve, Donika Çetta, kanë mbjellë 40 pemë në Parkun e Ulpianës, derisa ky aktivitet pritet të vazhdojë edhe ditëve në vijim. 

Por organizatat “Pishtarët”, “Gjethi” dhe “EcoZ” u kanë dërguar letër deputetëve të Kuvendit duke e akuzuar ministrin e Mjedisit për aprovim të Udhëzimit Administrativ me anë të së cilit, sipas tyre, ka përjashtuar pjesëmarrjen qytetare nga vendimet që i prekin drejtpërdrejt ata.

Në letër thuhet se me këtë ai u ka dhënë vetes dhe operatorëve privatë autoritet të plotë që të vendosin për shfrytëzimin e resurseve natyrore.