Komuna e Mitrovicës së Veriut ka shtyrë për 14 ditë aksionin për largimin e institucioneve të Serbisë që zhvillojnë aktivitet ilegal në një objekt komunal në “Lagjen e boshnjakëve”. Këtë javë faktori ndërkombëtar ka kërkuar që vendimi të mos zbatohet. E, në kabinetin e kryetarit Erden Atiq nuk kanë dhënë arsyet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
Është shtyrë për dy javë ekzekutimi i vendimit për largimin e institucioneve të Serbisë nga një objekt komunal i Mitrovicës së Veriut, që ndodhet në “Lagjen e boshnjakëve”.
Komuna që drejtohet nga kryetari Erden Atiq u pati dhënë kohë strukturave ilegale serbe që ta braktisnin objektin më së largu të premten. Por, pas presionit ndërkombëtar u ka dhënë kohë edhe 14 ditë.
Anëtarë të kabinetit të kryetarit Atiq e edhe ata të kabinetit të kryeministrit Kurti nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, për arsyet që lidhen me sprapsjen nga afati që u ishte dhënë punonjësve të Serbisë që ilegalisht veprojnë në Kosovë.
Në Komunën e Mitrovicës së Veriut vetëm konfirmuan shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
“E kemi zhvendosur datën për dy javë. Pas dy javësh do të merret vendimi sipas planit të paraparë”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.
Në objektin që autoritetet lokale thonë se i përket Komunës, janë të vendosura Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i së ashtuquajturës Mitrovica e Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale e Vushtrrisë.
Pas vendimit për t’i larguar punonjësit e Serbisë nga zyrat komunale ka reaguar komuniteti ndërkombëtar.
Bashkimi Evropian, përmes zëdhënësit për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme, Peter Stano, tha se ky vendim shkon në kundërshtim me përpjekjet për të ulur tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që këto çështje të adresohen në kuadër të dialogut të Brukselit.
KOHA ka dërguar pyetje tek Stano pas vendimit për shtyrje të afatit, por nuk ka marrë përgjigje.
Vendimi për largimin e institucioneve nga ky objekt është marrë më 22 gusht nga Inspektorati Komunal. Bazuar në të, objekti do të duhej të lirohej brenda ditësh për shkak që këto institucione nuk ofruan dokumente si dëshmi që lidhen me të drejtën për shfrytëzimin e tyre.