Vetëm Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk e ka pranuar kërkesën e grupit iniciues të serbëve për shkarkimin e kryetarit nëpërmjet peticionit. Ajo e Zubin-Potokut e ka adresuar kërkesën në KQZ, ndërkaq Komuna e Leposaviqit nuk u është përgjigjur ende serbëve. E në Komunën e Zveçanit nuk treguan se si kanë vepruar
Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk e ka pranuar kërkesën e një numri serbësh për t’i regjistruar si grup nismëtar për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin, tha se ka vepruar kësisoj, meqë kërkesa nuk është e bazuar në Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Ata janë të obliguar që përmes kërkesës të japin edhe njoftimin që po formohet grupi iniciues për shkarkimin e kryetarit, përmes peticionit e qytetarëve. Krahas kësaj, të kërkojnë që të regjistrohen si grup iniciues për shkarkimin e kryetarit. Pas kësaj, unë jam i detyruar t’ia dërgoj nismën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të merren hapat konkretë, sepse kush i merr përgjegjësitë? Unë nuk i marr përgjegjësitë”, ka thënë ai.
Veprimi i Ugljaninit është kritikuar nga Eugen Cakolli, i cili në zgjedhjet e fundit ka qenë në krye të koalicionit të OJQ-së, Demokracia në Veprim. Ky hulumtues i lartë i KDI-së ka thënë se në këtë proces, kryesuesi i kuvendit komunal ka vetëm rol simbolik.
“Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut i ka shkelur ligjin dhe aktet e tjera, me vendimin për refuzim të kërkesës së qytetarëve për largim të kryetarit të Komunës. Kryesuesi nuk ka asnjë kompetencë, as sipas Ligjit, as sipas Udhëzimit Administrativ, për vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës, e aq më pak refuzimin e saj. Roli i kryesuesit është krejt simbolik dhe vetëm njoftues i instancave të tjera”, ka shkruar Cakolli.
Por, bazuar në Udhëzimin Administrativ, kryesuesi përpos që kërkesën e grupit iniciues e përcjell te kryetari, te ministria dhe te KQZ-ja, atë edhe e shqyrton dhe në afat prej pesë ditësh jep përgjigje. E, në rastin sikur tani kur përgjigjja është negative, grupi i serbëve mund ta dërgojë drejtpërdrejt në KQZ kërkesën.
Ugljanin ka insistuar se grup iniciues është urdhëruar nga Lista Serbe, për të provokuar situatën para zgjedhjeve në Serbi që mbahen të dielën e ardhshme.
“Ata ndoshta po e përdorin si arsyetim politik, sepse ne e kemi ditur që kjo kërkesë, dhe kush është mbrapa kësaj kërkese që do të provojnë që kjo kërkesë me u shfrytëzu edhe nga ana politike, e sidomos në këtë situatë ku zgjedhjet do të mbahen në Republikë të Serbisë”, ka thënë Ugljanin.
Grupe të qytetarëve serbë kanë iniciuar kërkesa të njëjta edhe për shkarkimin e kryetarit të Zubin-Potokut, atij të Leposaviqit dhe kryetarit të Zveçanit.
Vedat Mehmeti, kryesues i Kuvendit Komunal të Zubin-Potokut, konfirmoi për KOHËN se të martën e ka dorëzuar në KQZ listën e anëtarëve të grupit nismëtar.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, tha se në shkresën e pranuar të hënën, përgjigjja do të jepet brenda afatit pesëditor.
E, në Komunën e Zveçanit nuk treguan se si kanë vepruar.
Sipas Udhëzimit Administrativ, pas formalizimit të grupit nismëtar për peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës, ai ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet e së paku 20 për qind të trupës elektorale që mbështesin nismën. Pas verifikimit në KQZ, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit. E, në votim pro shkarkimit duhet të votojnë së paku gjysma e trupës elektorale, në mënyrë që t’i hapet rrugë procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri.
“Nëse shumica e votuesve të komunës përkatëse nga lista përfundimtare e votuesve, pesëdhjetë për qind plus 1 (50% +1), votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni”, thuhet në dokument. “Nëse numri i votuesve që kanë votuar për largimin e kryetarit të komunës nuk arrin 50% +1, konsiderohet se iniciativa për largimin e kryetarit të komunës ka dështuar”.
Sipas dokumentit, kur nisma dështon, një e re mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.
Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe.
Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e policisë së Kosovës – në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.
Tensionet u përshkallëzuan në dhunë më 30 maj në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.
Bashkësia ndërkombëtare në krye me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet. Nga Prishtina kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq nga Beogradi që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në procesin zgjedhor.