LAJMET E MBRËMJES

Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi kërkojnë të paguajnë për rrymën e shpenzuar

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë kërkuar nga institucionet kosovare që ndërtesat publike të këtyre komunave të kyçen në sistemin energjetik të Kosovës dhe të paguajnë për energjinë elektrike të komunave që udhëheqin. Por, rryma në veri është çështje e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe udhërrëfyesit të miratuar vitin e kaluar, e i cili ka ngecur në zbatim.

Në ditën e dytë të punës, në situatë të jashtëzakonshme mes tensioneve dhe kundërshtimesh kryetarët e dy komunave në veri, ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, dhe kryetari i Leposaviqit kanë drejtuar një kërkesë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë dhe Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut.

Në kërkesat me përmbajtje të njëjtë, ata kërkuan nga këto institucione që ndërtesat publike të këtyre komunave të kyçen në sistemin energjetik të Kosovës dhe të paguajnë për energjinë elektrike të komunave që udhëheqin.

“Ju drejtohem si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut lidhur me kyçjen dhe pagesën e energjisë elektrike për të gjitha institucionet e sektorit publik, të cilat bien nën kompetencën e nivelit lokal. Kërkoj prej jush që të filloni sa më parë të ndërmerrni veprimet e nevojshme për kyçjen e të gjitha këtyre institucioneve, në mënyrë që Komuna të mund të fillojë pagesën e energjisë së konsumuar”, thuhet në kërkesë.

KOHA ka kërkuar një përgjigje nga ana e KOSTT-it dhe ZRRE-së lidhur me kërkesat e komunave dhe mundësinë e realizimit të tyre, por ato nuk janë përgjigjur gjatë ditës.

Por, furnizimi dhe arkëtimi i mjeteve për rrymën në veri është subjekt i marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë më 2013, e më pas edhe udhërrëfyesit të vitit të kaluar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ani se udhërrëfyesi nuk është zbatuar brenda afateve të parapara nga Qeveria, nuk kanë bërë të ditur nëse do të ketë ndonjë modalitet tjetër për arkëtimin e mjeteve për rrymën e shpenzuar në veri.

Edhe Bashkimi Evropian ka pranuar se ka vonesa në zbatimin e tij dhe se përgjegjës për këtë i ka bërë të dyja palët.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi lidhur me këtë çështje, por ai nuk është përgjigjur.

Qytetarët e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin-Potoku, që nga përfundimi i luftës nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar.

Kostoja e veriut para privatizimit të Distribucionit ishte futur në fatura të qytetarëve deri në vitin 2017, pasi që KEDS-i nuk ka qasje në atë pjesë. Kostoja më pas i është bartur KOSTT-it.