Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka thirrur një protestë për të shtunën, për ta kundërshtuar Ligjin për pagën minimale. Ligji i ri që u miratua mbrëmë, nuk u garanton atyre pensionin në vlerën e pagës minimale. Dhe, krahas protestës, veteranët kanë kërcënuar me pengim të çdo seance të Kuvendit.
U konsiderua si sukses nga ana e Qeverisë, por miratimi i Ligjit për pagën minimale është kundërshtuar nga Organizata e Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo organizatë ka paralajmëruar se do të pengojë funksionimin e punës së Kuvendit sa herë që mbahen seanca, meqë ligji nuk u garanton veteranëve pension në masën e pagës minimale.
“Kryesia mori vendim që sa të mundemi qoftë me pesë apo dhjetë persona të pengojmë çdo seancë të Kuvendit të Kosovës që të mos i lejomë të mbajnë seancë”, ka thënë Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL-së së UÇK-së.
Ligji për pagën minimale parasheh që pensioni i veteranit të përcaktohet me vendim të Ministrisë së Financave. Por, me këtë nuk janë pajtuar veteranët.
Xhavit Jashari ka thënë se edhe audioincizimet që përmbajnë komunikimin e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje me një deputet të Listës Serbe, e ku përmenden edhe veteranët, përbën “thikë pas shpine”.
“Kjo na vë në dyshime se kjo është bërë në koordinim me Beogradin për ta atakuar UÇK-në. Kjo është një turp i madh i kësaj qeverie dhe ne do të marrim masa dhe kush do të proteston, kushdo që shprehet kundër kësaj Qeverie ne do ta mbështesim si organizata të dala nga lufta e OVL UÇK-së”, është shprehur Jashari nga OVL e UÇK-së.
E një protestë kundër ligjit për pagën minimale, veteranët e paralajmëruan për të shtunën, nga ora 18:00.
“Qeveria e Kosovës nuk po tërhiqet na veprimet skandaloze. Prandaj, të shtunën më 15 korrik protestojmë të gjithë kundër skandaleve qeveritare, kundër koordinimit me Millan Radojqiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”, thuhet në njoftimin për protestë.
Edhe dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, kanë kundërshtuar ligjin dhe e kanë ndërlidhur përmbajtjen e tij me audioincizimet e publikuara.
Me ligjin e ri, paga minimale është rritur për 103 për qind, por Kosova do të vazhdojë ta ketë pagën më të ulët në rajon.
Me këtë ligj, paga minimale bëhet 264 euro, ndërkaq hiqet edhe tatimit në të ardhurat personale për pagat deri në nivelin e pagës minimale.