Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj akuzave të paraardhësit të saj në këtë pozitë, Abelard Tahiri, i cili gjatë një konference për shtyp të dielën ka ngritur dyshime për zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, e më pas gjetjen e tyre, sipas tij. Haxhiu i ka quajtur shpifje pretendimet e deputetit nga PDK-ja
Shpifje i ka quajtur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pretendimet dhe dyshimet që i ngriti të dielën Ablerad Tahiri, ish-ministër i këtij dikasteri, tani deputet i PDK-së.
Ai kërkoi sqarim për zhdukjen e më pas gjetjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, e që, sipas tij, mund të jenë të ndërlidhura edhe me zjarret që e përfshinë Institutin muaj më parë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ministrja Haxhiu tha se shpreson që pas këtyre deklaratave Tahiri të ftohet si dëshmitar nga Prokuroria.
“Aludimi i tij në konferencën e djeshme për media se kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kanë qenë në njohuri për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, që në pranverën e vitit 2022, zgjon dyshimet e bazuara se mbase z.Tahiri ka qenë i informuar që prej asaj kohe. Përse Abelardi e përmend pranverën e vitit 2022? Me çfarë saktësisht e ka ndërlidhur ai këtë? A ka qenë ai i informuar apo edhe i përfshirë në atë mision të zhdukjeve të mostrave?” – shkroi Haxhiu.
Tahiri në një konferencë për media të dielën shtroi pyetje e ngriti dyshime të shumta lidhur me procesin e zbardhjes së rrethanave të vdekjes së ish-aktivistit të Vetëvendosjes në Burgun e Prizrenit më 2016.
“Duke qenë bartës të pushtetit në funksionet më të larta shtetërore, ata duhet të na tregojnë se kush i mori dhe zhduki mostrat e Astrit Deharit dhe a dihet se kush i ktheu? Ku ishin këto mostra dhe për çfarë qëllimi u vodhën nga IML-ja? Zhdukja e këtyre mostrave për një vit e gjysmë a ishte një alibi e pushtetit për të penguar hetimin penal dhe zbardhjen e vdekjes tragjike të Astrit Deharit?” – tha Tahiri.
Në dhjetor të vitit 2022, ministrja Haxhiu përmes një konference pati njoftuar opinionin publik për zhdukjen e mostrave të Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, e në mars të vitit 2023 u raportua nga mediat për gjetjen e një pjese të këtyre mostrave.
Objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore u kaplua nga zjarri në nëntor të vitit të kaluar për herë të dytë. Rasti i parë pati ngjarë në mars të njëjtit vit.