Minatorët e “Trepçës” kanë insistuar se nuk do ta ndërpresin grevën deri në plotësimin e kërkesave. E ato janë përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, ekzekutimi me rregull i pagave dhe shkarkimi i kryeshefit. Kërkesat e tyre u konsideruan të arsyeshme dhe të ligjshme nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili i ka vizituar minatorët të enjten
“Mosinvestimi në ‘Trepçë’ është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës, sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq, por edhe kur s’bën diçka mirë e, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë”. Kështu e pati përshkruar kryeministri Albin Kurti gjendjen dhe mosinvestimin në “Trepçë” sa ishte në opozitë. Dy vjet më vonë, pakënaqësitë e minatorëve vazhdojnë.
Të enjten, në ditën e tretë të grevës në Minierën e Stantërgut, minatorët pos kërkesës për përmirësim të kushteve, insistuan edhe në shkarkimin e kryeshefit të ndërmarrjes.
“Greva nuk ndërpritet në asnjë mënyrë pa marrë parasysh sfidat çka zhvillohet dhe çka na pret. Edhe në shëndet jemi të rrezikuar, shumë prej neve jemi me sëmundje kronike, tension të lartë, hipertension e shumë sene, por kemi me qëndru deri në fund”, ka thënë minatori Asllan Osmani.
Minatorët kanë renditur një varg kërkesash që duhet plotësuar për t’iu kthyer punës.
“Kërkojmë Ligjin e Punës, sigurimin, qysh e kanë policia rrezikshmërinë, sepse këta në minierë e kanë. Punoj qe 23 vite asnjë minutë s’e kam stazh, shkoj me 100 euro. Kushtet, ajrimi, ushqimi, krejt me teshat e shtëpisë janë, i kanë ble”, ka thënë minatori Isuf Beqiri. Ai tha se këto kërkesa po i shtron për të tjerët, pasi vetë do të dalë në pension për pak ditë.
Rreth 800 metra nën tokë, në horizontin e dhjetë, minatorë e rinj shprehen të dëshpëruar për kushtet në të cilat punojnë.
Shashivar Januzi thotë se është gjenerata e katërt që punon në “Trepçë”. Edhe babai, gjyshi dhe stërgjyshi i tij ishin minatorë.
Ka thënë se punën si minator e adhuron, por që kushtet po bëjnë të ndryshojë mendim.
“Jam djalë i ri, jam 23 vjet. Shtatë shok i kam pasur që jam rritë me ta, të shtatit kanë ecë në Gjermani, kam mbetë vec unë me një shpresë që bëhet mirë. Nëse edhe ndonjë ditë nuk bëhet mirë, edhe unë kysmet në atë rrugë”, ka deklaruar Januzi.
Për të vlerësuar gjendjen dhe kushtet e punës në të cilat punojnë, minatorët të enjten u vizituan nga Naim Qelaj, Avokat i Popullit.
Qelaj ka thënë se kërkesat e minatorëve janë të arsyeshme.
“Sa u përket vërejtjeve që i keni për menaxhmentin dhe drejtuesit e kësaj miniere, pa dyshim që ka vend për t’u ulur dhe për të diskutuar se çfarë të bëhet më tutje në këtë pjesë. Por kujdesi institucional duhet të ekzistojë, të vijë dikush nga autoritetet e t’ju vizitojë, unë besoj që ka qenë e arsyeshme dhe jo të marrin vendime në zyrë për fatin e njerëzve që janë 700 metra nën tokë, por të vijnë dhe t’i shohin brengat e tyre”, ka theksuar ai.
Nga menaxhmenti i “Trepçës”, në një reagim të mërkurën, vlerësuan se greva e minatorëve duhet të ndërpritet, pasi, siç u tha, është e jashtëligjshme.
E për këtë gjë, një minator i drejtoi pyetje Avokatit të Popullit, duke e pyetur nëse greva është e ligjshme.
“Greva është legjitime”, u shpreh Qelaj.
Ndërkohë kryesindikalisti Ibrahim Januzi ka thënë se duhet të fillojnë negociatat sa më shpejt mes menaxhmentit dhe punonjësve, meqë, sipas tij, gjendja e minatorëve po përkeqësohet nga dita në ditë. Për të mërkurën, është raportuar se 80 prej minatorëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Këta po thonë që nëse fillon me u zgjat greva, këta po shprehën që më as barnat nuk do t’i pranojnë, as ndihmën mjekësore. Është një sinjal që gjendja po shkon duke u përkeqësuar, prandaj është momenti që duhet me reflektu edhe ne edhe institucionet”, ka deklaruar Januzi.
Në përkrahje të minatorëve, të enjten protestuan edhe disa qytetarë para menaxhmentit të “Trepçës” në Mitrovicë.
Në pyetjet e KOHËS për situatën e krijuar, të enjten nuk kanë kthyer përgjigje nga menaxhmenti dhe Bordi i “Trepçës” e as nga Ministria e Ekonomisë.