LAJMET E MBRËMJES

Minatorët të pakënaqur me ekzekutimin e pjesshëm të pagës

Të pakënaqur me ekzekutimin e vetëm 68 për qind të pagës, minatorët e Stan Tërgut, nga e premtja e javës së kaluara janë futur në grevë. Ata thonë se grevën do ta vazhdojnë derisa në llogaritë e tyre të dalin pagat e plota. Megjithatë, të premten pasdite përfaqësues të Sindikatës së “Trepçës” kanë paralajmëruar kthimin në punë mesnatën mes të premtes dhe të shtunës

Bajram Bala ka 43 vjet që punon në Njësinë Miniera me Flotacion “Trepça” në Stan Tërg, e që nga e premtja e javës së kaluar, ai, bashkë me kolegë të tjerë, ka hyrë në grevë. 

Mosekzekutimi i plotë i pagave ishte bërë shkas që ai dhe kolegët e tij të refuzojnë paraqitjen në vendet e punës. 

Bala që kujdeset për shkollimin e tre fëmijëve studentë thotë se kjo nuk është hera e parë që minatorëve nuk u jepen pagat e plota.

“Ne çdo muaj po kemi telashe me rroga. Nuk është paga e plotë, e kanë ekzekutuar vetëm 68 për qind dhe nuk është e mjaftueshme ajo pjesë që e kanë qit. Na kanë thënë që e qesim pagën, punëtorët po thonë që atë ditë që kur të del paga janë të gatshëm me filluar punën”, ka thënë ai. 

Për grevën të premten ka folur edhe anëtari i kryesisë së Sindikatës së Trepçës, Gani Osmani. Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Osmani ka thënë se drejtori i minierës së “Stan Gërgut” ka pasur një takim me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me të cilën janë pajtuar që puna në minierën e “Trepçës” të nisë të premten me ndërrimin e tretë.

“Sipas informacioneve që i kam, sot (e premte) do të nisë punën ndërrimi i tretë, ndërsa nga nesër, do të zhvillohet puna me tri ndërrime”, ka thënë Osmani, duke shtuar se minatorëve po u imponohet mbajtja e grevës.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve ka përsëritur që kushtet e tyre janë më së keqi se çdo vend evropian. Ka bërë thirrje që të punohet për përmirësimin e kushteve.

“Kemi pas premtime për përmirësimin e kushteve, por asnjë nuk është realizuar. Jemi pa sigurime shëndetësore, pa kushte bazike, me mjete të stërvjetëruara, rrezik gjatë gjithë kohës, tym, lagështi të ajrit”, ka deklaruar Osmani.

E Bashkim Murati, kryeshef i Ndërmarrjes “Trepça”, e bëri zotimin se kërkesa e minatorëve do të përmbushet të premten e javës së ardhshme, teksa i tregoi shkaqet për mosekzekutimin e plotë të pagave.

“Problemet ndër vite në Trepçë, si mungesa e investimeve kapitale, e kanë sjellë në këtë gjendje, si pasojë kemi mbërritur në gjendjen që jemi. Ekzekutimi i plotë i pagës për minatorët do të realizohet të premten tjetër. Mos eksploatimi i xehes, mostrajtimi i xehes neve na kushton rreth 55-60 mijë euro, që potencialisht për këto 6 ditë kemi humbur rreth 300 mijë euro, aq sa është edhe vlera e obligimeve që kemi ndaj minatorëve për momentin, 289 mijë euro”, ka thënë Murati.

Minatorët patën hyrë në grevë për disa ditë edhe gjatë prillit të sivjetmë. Shkaku i pagave, ata u patën mbyllur për dhjetë ditë në horizontet e Trepçës edhe në tetorin e shkuar, duke e refuzuar ushqimin. 
Grevën asokohe e pati ndalur një marrëveshje e arritur me disa deputetë të partisë në pushtet, në të cilën parashihej që pagat e minatorëve të mos vonoheshin më shumë se më datën 10 të çdo muaji.