Punëtorët e flotacionit të Kishnicës nisën grevën e paralajmëruar të martën, meqë nuk u ishin ekzekutuar pagat e muajit mars. Por pas pak orësh, menaxhmenti ka njoftuar se janë siguruar paratë për pagat e punëtorëve, nga shitjet e koncentratit të prodhuar në njësinë e Stantërgut. Megjithatë, greva në Kishnicë ka vazhduar, pasi minatorët kanë edhe kërkesa të tjera
Punëtorët e flotacionit në Kishnicë, të martën e ndalën punën dhe nisën grevën, si shkak i mosekzekutimit të pagave për muajin mars.
Por vetëm disa orë më pas, ndërmarrja “Trepça” ka njoftuar se janë siguruar mjetet për paga.
“Deri më tani pagat kanë qenë të paekzekutuara vetëm për Flotacionin në Kishnicë, për shkak të problemeve buxhetore dhe përmbarimore. Sot kemi arritur të finalizojmë edhe këto pagesa. Pagat për minatorët e Artanës dhe për personelin e sigurimit janë kryer më herët. Mjetet financiare janë siguruar nga eksporti i realizuar më 18.4.2025, nga njësia në Stantërg, dhe janë shfrytëzuar për mbulimin e pagave të njësisë në Kishnicë”, thuhet në njoftimin e “Trepçës”.
Pavarësisht ekzekutimit të pagave, punëtorët thonë se do të vazhdojnë grevën pasi presin t’u plotësohen edhe disa kërkesa të tjera.
“Nivelizimi i pagave me vendin e njëjtë të punës në Mitrovicë, rigjenerim i vendeve të punës nuk ka. Rreziku për punëtorët në vendin e punës me u lëndu është jashtëzakonisht më i madh, se kur i ke mjetet e punës rreziku nuk është i lartë. Na nuk tërhiqemi pa u përmbushë kërkesat tona”, ka thënë Avni Aliu, punëtor.
E Xhevdet Zymeri, i cili ka 20 vjet që punon në këtë flotacion, ka thënë se ndërmarrja “Trepça” po i diskriminon punëtorët e këtij flotacioni, duke ua vonuar pagat.
“Këta na kanë diskriminuar mua dhe krejt punëtorëve këtu, sepse kur ka pasë pare për të gjithë punëtorët e njësive të tjera, për neve nuk ka pasë. Këta na kanë detyru me hy në grevë neve, se na nuk ishim hy në grevë”, ka thënë Zymeri.
Sipas minatorëve, mosekzekutimi i pagave me kohë po u shkakton vështirësi ekonomike.
“Mosekzekutimi i pagave ndikon shumë keq, me borxhe e me kredi e me tatime, po na e vështirëson jetën. Kemi pasë telashe, me vonesa kanë dalë paret, por prapë janë dalë. Por, unë ka 22 vjet që punoj këtu, kjo është hera e parë që nuk janë ekzekutuar pagat”, është shprehur Skënder Maliqi, punëtor.
Me vonesa të pagave vitin e kaluar u përballën edhe minatorët e njësisë biznesore Miniera me Flotacion në Stantërg, për çka Qeveria ndau 4 milionë euro me qëllim të tejkalimit të krizës.