LAJMET E MBRËMJES

Mësimdhënësit kërkojnë rritje të pagave e zvogëlim të orëve të punës

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, mësimdhënësit mbajtën një marsh protestues e listuan një varg kërkesash drejtuar ekzekutivit. Rritja e koeficientit të pagave, zbatimi i kontratës kolektive e shkurtimi i orarit të punës ishin ndër kërkesat në protestën e organizuar nga SBASHK-u

Para objektit të Bibliotekës Kombëtare, të mërkurën, u mblodhën mësimdhënës nga e gjithë Kosova për të marshuar në sheshet e kryeqytetit deri te ndërtesa e Qeverisë, në ditën e punëtorëve – 1 Maj.

Në marshin protestues të organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK) pati kërkesa për rritje të koeficientit të pagave për së paku 30 për qind, zbatimin e kontratës kolektive e që norma javore e punës të zvogëlohet në 18 orë. Aktualisht është 20 orë.

Nebi Mëziu, mësimdhënës nga Skenderaj, e shtroi nevojën që të paguhet edhe kujdestaria e klasës.

“Kujdestaria e klasës ka një angazhim të jashtëzakonshëm, mos të themi jetësor, sepse duhet kujdesur për çdo nxënës, të kontaktosh prindër, me dhjetëra e qindra herë, i thërret, nuk vijnë”, ka thënë Mëziu.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, i kërkoi Qeverisë që t’ua përmbushë kërkesat, në të kundërtën paralajmëroi veprime të tjera sindikale.

Jasharaj tha se Qeveria duhet të veprojë në mënyrë që të mos përsëritet, siç tha, viti 2022, kur u mbajt grevë njëmuajshe.

“Kemi bërë shumë angazhime dhe kemi pasur gatishmëri që shqetësimet dhe kërkesat legjitime të anëtarësisë dhe pensionistëve t’i bashkëbisedojmë me Qeverinë e të angazhohemi bashkërisht për realizimin e tyre. Por, Qeveria vazhdon t’i ikë dialogut dhe prandaj duke respektuar zërin e anëtarësisë jemi këtu e në këtë protestë me apelin drejtuar Qeverisë që të realizojë kërkesat tona, për të parandaluar kështu veprime të tjera sindikale”, ka deklaruar Jasharaj.

E kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se kryeministri Kurti i ka gënjyer punëtorët kur ka deklaruar se do t’i rrisë pagat.

“Ne jemi në gjendje të rëndë, por tani zgjidhjen nuk po e kërkojmë te Qeveria e Kosovës, zgjidhjen po e kërkojmë te liberalizimi i vizave, me të cilën po ju betohem që nëse vazhdon kështu edhe një vit, eventualisht dy vjet, kryeministrin e Kosovës nuk ka kush ta bartë me xhipa të zi”, ka ironizuar Azemi.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se prania e tyre në protestë në masë të madhe, tregon për fuqinë që e kanë. Ai i bëri ftesë ekzekutivit që të angazhohet për dialog me sindikatat.

“Prania jonë këtu është dëshmi e besimit tonë në fuqinë e dialogut dhe angazhimit konstruktiv. Jemi mbledhur për të nxitur mirëkuptim për hapa të mëtutjeshëm. Qeverisë i bëjmë ftesë të hapur për t’u angazhuar për dialog. Kërkesat tona lindin nga një dëshirë e përbashkët për punëtorët e arsimit, sektorit privat, dhe gjithë punëtorët në Kosovë”, ka thënë Hykolli.

E kryetari i SBAShK-ut në Klinë, Arif Elezi, prezantoi kërkesat e anëtarësisë, duke kërkuar dialog social nga qeveria, konsultime para plotësimit të ligjeve, nënshkrimin e kontratës kolektive, ngritjen e vlerës së koeficientit të pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe të tjera.

“Duam dialog social për realizimin e kërkesave tona, nuk lejojmë të bëhen ndryshime të ligjeve në dëm të punëtorëve të arsimit, kërkojmë nënshkrimin e aneks-kontratës Kolektive të Arsimit sidomos për ruajtjen e vendeve të punës. Qeveri respekto pensionistët sepse ju arsimuan edhe juve, kërkojmë urgjentisht të ngrihet vlera e koeficientit të pagave për së paku 30%, kërkojmë përmirësimin e kushteve të punës në institucionet arsimore, plotësimi i ligjeve të mos bëhet pa pajtimin e sindikatave, duam funksionalizimin e Këshillit Ekonomik Social, kërkojmë që norma javore të jetë 18 orë si në shtetet e rajonit, Qeveria të sigurojë buxhet për zbatimin e Kontratës Kolektive të Arsimit pa pasur nevojë të shkohet në gjykata, kërkojmë të kemi përfaqësues të punëtorëve në komisione e borde në të cilat vendoset për çështjet jetike për punëtorët”, ka thënë ai.

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës dhe është festë zyrtare edhe në Kosovë.