Menaxhmenti “Trepçës” ka ndëshkuar minatorët grevistë, të cilët për katër ditë radhazi shprehën pakënaqësi për mosmarrjen e pagave. Ky vendim është arsyetuar nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani, duke thënë se ka pasur sabotim dhe i janë shkaktuar dëm ndërmarrjes. E nga Sindikata thonë se ky vendim është i papranueshëm dhe se kjo është bërë për t’i frikësuar minatorët për të kërkuar të drejtat e tyre.
Mbajtën grevë për vonesë të pagave, por menaxhmenti i “Trepçës” ka ndëshkuar 151 minatorë duke ua ndalë mëditjet dhe shujtat ditore.
Duke u bazuar në një rregullore të brendshme për sabotim të punës, minatorëve iu ndalën nga 176 euro për katër ditë të punës.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes, Enis Abdurrahmani, ka thënë se masat janë marrë në konsultim me zyrën ligjore.
“Në konsultim me zyrën ligjore dhe departamentet tjera, kemi marrë masat e para që çdo bojkot dhe sabotim në punë do të sanksionohet me ndalesa të ekzekutimit të mëditjeve dhe shujtave ditore, dhe nëse ky bojkot dhe sabotim thellohet, atëherë i kemi masat e rregulloreve të brendshme të cilat sanksionojnë edhe me pagë deri në 40 për qind, mirëpo ligjet i kemi shumë të qarta që do të thotë se çdo bojkot dhe sabotim mbi tri ditë pune mund të shpjerë edhe deri në shkëputje të marrëdhënies së punës për çdo punëtor që e bën këtë vepër”, ka theksuar Abdurrahmani.
Por, për mundësinë e mbajtjes së grevës menaxhmenti ishte njoftuar në një takim që kishte mbajtur me përfaqësues të Sindikatës, ku ishte paralajmëruar se kjo do të ndodhë nëse nuk iu dalin pagat deri më 10 gusht.
Nga Sindikata e minatorëve të “Trepçës” e kanë quajtur të papranueshëm këtë vendim të menaxhmentit dhe kanë bërë të ditur se do të ankohen ndaj tij.
“Minatorët i kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre përmes grevës, e jo përmes sabotimit të punës dhe që kanë kërkuar të drejtën e tyre për pagën për muajin qershor, për këtë menaxhmenti ka marrë vendim, me të cilën mundohet që t’i frikësojë minatorët për herët e ardhshme që të mos kërkojnë të drejtat e tyre””, ka theksuar kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Ibraim Januzi.
Është hera e parë që minatorët janë ndëshkuar për shkak të grevave, ani se të tilla kanë qenë të shumta shkaku i vonesave të pagës.
KOHA ka kërkuar një përgjigje edhe nga Ministria e Ekonomisë, në domenin e së cilës janë ndërmarrjet publike nëse është në dijeni me veprimet e menaxhmentit dhe për vonesat e pagave për minatorët, por ata nuk janë përgjigjur gjatë të hënës.
Minatorët kanë mbajtur grevë edhe në korrik për shkak se kishte vonesa të pagës.
E u.d. i kryeshefit të “Trepçës” nuk ka folur për këto vonesa, por ka përmendur vetëm dëmet që, sipas tij, shkaktohen në rastet kur sabotohet puna e që tha se janë diku rreth 40 mijë deri në 50 mijë euro.