Në tryezën e së premtes, përfaqësues të mediave kanë shprehur qëndrimin se rregullorja e re e KPM-së del jashtë kornizës së asaj që kërkohet me Ligjin e Zgjedhjeve. Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e kompanisë KOHA, ka folur mbi kufizimin kohor që e parasheh rregullorja për hapësirën mediale që do t’u shitet partive politike gjatë fushatës zgjedhore
Draftrregullorja e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore është duke u kundërshtuar nga mediat në trajtën në të cilën është aktualisht.
Në tryezën, e cila është organizuar të premten nga KPM-ja në bashkëpunim me OSBE-në, përfaqësues të medieve kanë thënë se rregullorja del jashtë kornizës së asaj që kërkohet me Ligjin e Zgjedhjeve.
Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e kompanisë KOHA, ka folur mbi kufizimin kohor që e parasheh rregullorja për hapësirën mediale që do t’u shitet partive politike gjatë fushatës zgjedhore.
“Kjo që propozohet në këtë rregullore është së pari cungim i së drejtës së informimit të qytetarëve për aktivitetet politike të partive politike gjatë fushatës... Cungimi i së drejtës së mediumeve që të kenë, pos reklamimit politik në kuptimin klasik të fjalës së një spoti politik që nuk mund të jetë më i gjatë se 120 sekonda, dhe t’i mohohet e drejta që të ketë materiale të tjera që i transmeton, qoftë përfaqësimi i një programi politik, qoftë mbajtja e një tubimi diku, e cenon drejtpërsëdrejti strukturën financiare të atyre televizioneve të cilat kanë për ta përcjellë fushatën zgjedhore në terren”, ka thënë Surroi. “Keni parasysh se një fushatë zgjedhore është rasti i vetëm në të cilin mediumet munden që legalisht të marrin mjete prej buxhetit të Kosovës”.
E Ardita Zejnullahu, drejtore ekzekutive e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike (AMPEK), ka theksuar se po qe se udhëzuesit që është përdorur deri më tani prej KPM-së i shtohen tri dispozitat e kërkuara me Ligjin e Zgjedhjeve, atëherë do të jetë më lehtë i implementueshëm.
“Ndoshta nuk do të shkaktohej gjithë ky konfuzion te mediat se çka është ndryshuar. Për arsye se, ndryshimet nuk janë shumë të mëdha. Këtë mënyrë të organizimit të fushatave zgjedhore mediat në Kosovë praktikisht e bëjnë qysh prej vitit 2008, kur ky ligj, me këto specifika të caktuara, ka hyrë në fuqi”, ka theksuar Zejnullahu.
Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara (KMSHK), ka theksuar se rregullorja krijon konfuzion për mediat.
E kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, ka thënë se qëllimi i KPM-së është që të zbatohen kërkesat që rrjedhin nga Ligji i Zgjedhjeve.
“E kemi obligim. Nuk e kemi për që po duam ta bëjmë vetëm ‘hajt se duhet ta kemi një rregullore’ por na ka obliguar ligji që të vendosim kufij në sasinë e kohës së emetimit që transmetuesi mund t’ia shesë secilit subjekt politik gjatë fushatës zgjedhore. Sasinë e kohës që mundet t’ia shesë, a do ta ndajë në pika reklamuese apo sponsorizim? Këtë mbetet ta diskutojmë, por a do të këtë kufizim, si te njëra si te tjetra, do të ketë kufizim”, ka thënë ai.
KPM-ja është obliguar që gjatë javës së ardhshme t’i shqyrtojë komentet e bëra nga palët e interesuara dhe që të organizojë edhe një takim për qartësimin e propozimeve para miratimit përfundimtar të rregullores.