LAJMET E MBRËMJES

Me vetting e rritje të buxhetit, Qeveria synon ta përmirësojë drejtësinë

Për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është i nevojshëm profilizimi i policëve, prokurorëve dhe i gjyqtarëve në këtë fushë, ka thënë të hënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë adresimit të saj në kuadër të Seminarit të 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të mbajtur në Prishtinë.

Në sesionin e ditës përfundimtare të seminarit treditor, me temën “Forcimi i sundimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit”, Haxhiu ka bërë të ditur se është duke u punuar në rritjen e buxhetit për institucionet e drejtësisë. Krahas kësaj, Haxhiu para pjesëmarrësve të seminarit ka thënë se janë nisur një sërë reformash, ashtu që secili gjyqtar dhe prokuror të udhëhiqet nga pavarësia, profesionalizmi dhe integriteti moral.

“Këtu do të shtoja nevojën për profilizim më të madh të policëve, prokurorëve e gjyqtarëve në rastet e korrupsionit. Ne jemi duke punuar që ta shtojmë edhe buxhetin për institucionet e drejtësisë, me qëllim që ata ta kenë të mundur që t’i luftojnë jo vetëm rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe veprave të tjera”, ka theksuar Haxhiu.

Si një prej reformave të nisura ajo ka përmendur procesin e vettingun në sistemin e drejtësisë, për të cilin ka thënë se po bëhen përpjekje drejt arritjes së një konsensusi me përfaqësues nga opozita.

“Para pak kohësh ne kemi dërguar draftin e amendamenteve kushtetuese për vettingun në sistemin e drejtësisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe tani jemi në përpjekje që ta ndërtojmë konsensusin me subjektet apo grupet parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta pasur mbështetjen për këtë reformë jashtëzakonisht të rëndësishme”, është shprehur Haxhiu.

Në diskutimet mbi sigurinë, Irfete Spahiu, gjerenal majore në Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK), ka vënë theksin te domosdoshmëria e përfaqësimit të gjinisë femërore në sektorin e sigurisë.

“Sot kur edhe po diskutojmë pjesëmarrjen e gjinisë femërore në FSK, është 11.3 për qind, nga numri i përgjithshëm i personelit të FSK-së. Mund të mos jetë numër i madh, por të gjitha këto ushtare, nënoficere apo oficere, kanë kaluar procesin e rekrutimit apo gradimit në të njëjtën formë, sikurse kolegët e tyre meshkuj”, ka theksuar Spahiu.

Punimet e Seminarit treditor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s kanë përfunduar të hënën. Në tri ditët e zhvillimit, mbi 100 pjesëmarrës nga vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere kanë diskutuar mbi sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor në rrugëtimin e tij euroatlantik.