LAJMET E MBRËMJES

Më pak se gjysma e rekomandimeve të ZKA-së zbatohen prej komunave

Vetëm 39 për qind e gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë zbatuar nga niveli komunal, tregoi një raport i Institutit Demokratik të Kosovës. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se në këtë aspekt më mirë qëndrojnë niveli qendror dhe agjencitë e pavarura. E kryetarë të komunave u ankuan në kontratën kolektive, për pasojë të së cilës thanë se marrin raporte negative

Rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë gjetur vetëm 39 për qind zbatim nga komunat e Kosovës, ka treguar një analizë gjithëpërfshirëse e raportit të ZKA-së.
E publikuar të martën nga Instituti Demokratik i Kosovës, analiza thotë se komunat gjatë 2023-s e kanë ulur nivelin e zbatueshmërisë, krahasuar me vitin paraprak.

“Kemi një masë prej 61 për qind të pazbatuar. Kjo është një rënie krahasuar me vitin 2022, kur kjo shkallë ka qenë në masë 46 për qind të zbatimit të rekomandimeve. Shkaqet që kanë ardhur deri te kjo ndoshta do të diskutojmë as është kompleksiteti i rregulloreve, ligjeve, mungesa e vullnetit politik, burimet e pamjaftueshme njerëzore apo profesionale”, ka thënë Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së. 

Analiza u mbështet nga auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila ka thënë se niveli lokal qëndron në shkallë më të ulët zbatimi sesa ai qendror.

“Nëse këto rekomandime nuk gjejnë zbatim për ne është shqetësuese. Ne bisedojmë në vazhdimësi edhe brenda zyrës edhe me Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike për arsyet se pse s’po zbatohen rekomandimet e auditimit. Në nivelin qendror ka zbatueshmëri më të lartë. Ka zbatueshmëri të rekomandimeve edhe të ndërmarrjeve publike dhe tek agjencitë e pavarura, por ngecja është te niveli lokal”, ka thënë Spanca.

E kryetarë të komunave u ankuan se është kontrata kolektive një prej shkaqeve përse niveli lokal merr raporte negative nga auditori.

“Jemi të vetëdijshme se asnjë kryetar i komunave s’është nënshkrues i kontratave kolektive. S’është e ndershme, e ligjshme dhe njerëzore që të penalizohen komunat për shkak të një marrëveshjeje e cila është dashur të gjendet një zgjidhje Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka theksuar kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Kontratën kolektive e ka përmendur edhe kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, si telash të madh për komunën që drejton.

“Duke qenë në mandatin e parë, jo me doemos raporti i kualifikuar ose modifikuar ndërlidhet me punën ose mos punën e kryetarit aktual. Pasojat e një marrëveshjeje mund të vijnë edhe më pas, siç është rasti i kontratës kolektive”, ka thënë ai.

E deputetë të Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e financave publike, vlerësuan se shkeljet nga auditori po përsëriten vit pas viti për shkak të mungesës së kontrollit.