Me akuza dhe polemika është përcjellë të enjten edhe shqyrtimi i dytë i projektligjit për buxhetin e vitit 2025. Në seancën, e cila ka vazhduar edhe gjatë orëve të pasdites, janë shqyrtuar amendamentet e propozuara kryesisht nga opozita, por të cilat nuk e kanë marrë përkrahjen e deputetëve të pushtetit. E opozita e ka lëshuar sallën, teksa e ka akuzuar shumicën parlamentare për shkatërrim të shtetit
Me 61 vota për dhe asnjë kundër ka kaluar të enjten në lexim të dytë shqyrtimi i projektligjit për buxhetin për vitin 2025, i cili e kap vlerën e 3.6 miliardë eurosh.
Para miratimit, Kuvendi i ka nxjerrë në votim 128 amendamentet e propozuara, nga të cilat kanë marrë miratim vetëm ato të cilat janë propozuar nga deputetët e partisë kryesore në pushtet.
Një nga amendamentet e opozitës, e cila nuk ka marrë mbështetje, është edhe ai për ta rritur vlerën e koeficientit të pagave.
Pas kësaj, ligjvënës opozitarë e kanë akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për shkatërrim të shtetit, teksa kanë thënë se me buxhetin për 2025-tën do të mbështeten skemat kriminale.
“Votimi i këtij projektbuxheti do të thotë mbështetje të skemave kriminale. Ky është buxhet i kontaminimit, mbështet skema kriminale. Duhet diskutim i thellë dhe jo në afate të përshpejtuara. Se në lexim të parë nuk e kemi ditur që familjarë të deputetëve në pushtet kanë përfituar nga këto skema kriminale”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PDK), Abelard Tahiri.
E Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike (LDK), ka theksuar se Ligji për Buxhetin e shkel Kushtetutën.
“Me një ligj e keni shkelur tri herë Kushtetutën, vetëm ju mund ta bëni këtë. Ka ndodhur një shkelje procedurale, është hedhur në votim diçka që nuk ka qenë ende në rend dite. Pra, është një shkelje e rëndë kushtetuese, sepse është lënë vetëm dy ditë që deputetët të propozojnë amendamente. Tentohet të ndryshohet Ligji për zyrtarët publikë dhe Ligji për tatimin e pronës së paluajtshme... kjo përbën shkelje kushtetuese… veçanërisht heqja e mundësisë për deputetët për të shprehur amendamentet për buxhetin. Unë i kam propozuar dy amendamente, por nuk janë miratuar. Nuk jemi duke dashur që të bëjmë kolaps për ta dërguar në Kushtetuese këtë buxhet. I bëjmë thirrje presidentes që ta kthejë Ligjin në Kuvend dhe t’i plotësojë kriteret e duhura. Shkuarja në zgjedhje pa buxhet është e rrezikshme”, ka theksuar Gashi.
Kritika për Buxhetin shprehu edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri.
“E them me përgjegjësi të plotë prej deputeti që buxheti për vitin 2025 është për turp”, ka theksuar ai. Kritikave të opozitës u është kundërpërgjigjur deputeti i LVV-së, Armend Muja.
“Të gjitha janë shikuar nga Komisioni për Buxhet me përpikëri, por ka mundësi që nuk keni qenë aty, kur është diskutuar”, ka thënë Muja.
Krahas kritikave për ndarje buxhetore, deputeti i pavarur Haki Abazi ka përmendur edhe skandalin me subvencione, nga të cilat kanë përfituar familjarë të deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli.
“Hajna, hajna, hajna, i keni vjedhë 100.000 euro nga subvencionet, turp”, ka thënë Abazi.
Për të njëjtat akuza, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka adresuar akuza ndaj pushtetit, me ç’rast e ka shpalosur edhe një poster.
Buxheti për vitin 2025 është miratuar në parim më 11 nëntor. Edhe në seancën e kaluar, deputetët opozitarë e kanë lëshuar sallën.