Qeverisja katërvjeçare e ekzekutivit të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti do të jetë tema e debatit që do të zhvillohet të hënën e ardhshme. Me këtë dhe dy seancat e tjera që do të mbahen më 5 dhjetor, pritet të përmbyllet puna e legjislaturës së tetë të Kuvendit
Drejt përfundimit të mandatit është legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës. Java e fundit e punës për këtë vit pritet të jetë fillimi i muajit dhjetor. Të hënën Kryesia e Kuvendit caktoi tri seanca për javën e ardhshme.
Më e rëndësishmja nga opozitarët u cilësua ajo e 2 dhjetorit, ku do të diskutohet për qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
“Për katër vjet asnjë projekt nuk është përmbyllur. Për katër vjet, një mandat, kjo qeveri do të përshkruhet si qeveri që ka normuar kundërligjshmërinë në fusha të ndryshme. Ky debat do të jetë ballafaqimi i kësaj qeverie me AAK-në si thirrëse e këtij debati dhe opozitën në mënyrë që të shpërfaqim defektet që kanë ndodhur”, ka thënë Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.
E Arben Gashi, shef i GP të LDK-së, e sheh seancën e 2 dhjetorit si një mundësi për të diskutuar ato që ai i quan veprime të dëmshme të Qeverisë.
“Ajo çka është më e rëndësishme është seanca e ditës së hënë [më 2 dhjetor], ku do të diskutohet qeverisja katërvjeçare e Albin Kurtit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë seancë do të diskutohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet katërvjeçare dhe të gjitha masat dhe veprimet dëmtuese që qeveria Kurti i ka bërë në këta katër vjet”, ka deklaruar Gashi.
Synime të tjera në prag të përfundimit të vitit kanë në grupin parlamentar në pushtet.
“Si pozitë synojmë që në masë të madhe të përmbyllim edhe projektligjet që janë në lexim të dytë dhe projektligjet që do të trajtohen në mënyrë që përmbyllja e mandatit apo legjislaturës së tetë të kurorëzohet me të gjitha projektligjet që kanë qenë bazë e programit zgjedhor”, ka deklaruar Mimoza Kusari-Lila, shefe e GP të LVV-së.
Pos kësaj seance, javën e ardhshme do të mbahen edhe dy të tjera. Të enjten nga ora 10 do të tentohet të përmbyllen pikat e papërfunduara, derisa pas saj do të mbahet edhe një e re plenare.
E për në muajin e fundit të vitit, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar një takim tjetër në nivel të kryenegociatorëve.
Deputetët në pushtet e opozitë nuk shprehën pritshmëri të mëdha, shkaku i zgjedhjeve në Kosovë, por edhe për shkak të përfundimit të mandatit të Lajçakut.
“Ajo çka mund të presim është që të paktën të ketë adresim të qartë të problemeve dhe pengesave të deritashme në zbatimin e marrëveshjeve, gjë që nuk e kemi parë shpesh nga Bashkimi Evropian të balancuar”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërsa Arben Gashi është skeptik se mund të ketë zhvillime në dialog, ndërkohë që janë afruar zgjedhjet.
Takimi i fundit i zhvilluar në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve është ai i 24 tetorit, që përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.