LAJMET E MBRËMJES

Mbyllen institucione paralele serbe në Leposaviq e Shtërpcë

Policia e Kosovës ka asistuar në mbylljen e institucioneve paralele, të cilat kanë operuar ilegalisht në Komunën e Shtërpcës dhe në atë të Leposaviqit. Gjatë aksioneve të ndërmarra të mërkurën, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka theksuar se veprimi ka qëllime politike. E Lista Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë kanë kërkuar që kundër mbylljes së këtyre institucioneve të reagojë bashkësia ndërkombëtare. E në Qeveri kanë theksuar se institucionet paralele që veprojnë nën direktiva të Beogradit zyrtar nuk kanë vend në territorin e Kosovës

Nëpërmjet një aksioni të gjerë, Policia ka mbyllur të mërkurën disa institucione paralele të Serbisë në Komunën e Shtërpcës dhe në atë të Leposaviqit, në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Dryni u është vënë dyerve të Fondit të Pensioneve dhe Invaliditetit (Fondi PIO), Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Fondin Republikan për Sigurime Shëndetësore në Leposaviq, si dhe Ndërmarrjes Publike Komunale në Shtërpcë, komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës.

Puna i është ndalur edhe kompanisë së ujësjellësit dhe të mbeturinave “Novo Javno Preduzece”, e cila ka vepruar në mënyrë ilegale në Komunën e Shtërpcës.

“Policia e Kosovës, pas kërkesës së pranuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe në koordinim me institucionet përkatëse, ka asistuar sot në inspektimin dhe mbylljen e një institucioni paralel të Serbisë, i cili ka operuar në Komunën e Shtërpcës, saktësisht të kompanisë së ujësjellësit dhe mbeturinave, e cila ka funksionuar nën juridiksionin e Serbisë. Policia e Kosovës me njësitë relevante policore dhe në koordinim me autoritetet përkatëse do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në raport me aktivitetin e jashtëligjshëm të kësaj ndërmarrjeje”, kanë bërë të ditur në Polici.

Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për rajonin e veriut, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë aksionit janë zbuluar “aktivitete të paligjshme”.

“Jemi konsultuar me prokurorin për çështjen e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe është hapur një rast për falsifikim dokumentesh. Do të intervistojmë një person në lidhje me këtë rast. Sa i përket Fondit për Sigurime Shëndetësore, nga sa di, komuna u ka dhënë një afat prej një jave për të lëshuar hapësirat”, ka theksuar ai.

E ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, më herët nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se institucionet paralele që veprojnë nën direktiva të Beogradit nuk kanë vend në territorin e Kosovës.

“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Asnjë paralelizëm i institucioneve tona e nën direktivat e Beogradit brenda territorit të vendit tonë nuk do të funksionojë në asnjë formë. Ministria e Ekonomisë, sipas mandatit dhe mekanizmave të saj, është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe në mbarë territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim do të punojmë në vazhdimësi dhe pa u ndalur”, ka shkruar ajo.

Teksa gjatë aksionit të së mërkurës, zyrtarë të Inspektoratit të Tregut kanë vendosur letra në dyert e institucioneve paralele serbe me lajmërimin për ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë, i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.

Me këtë rast, ai e ka kualifikuar aksionin si veprim me qëllime politike.

“Këtu jam për zgjidhjen e tërë kësaj situate dhe të siguroj përgjigjen në pyetjet që kam, së pari për vendimin për t’u futur në objekt nëse nuk kanë urdhër nga instancat gjyqësore dhe pse Komuna e Shtërpcës, si autoritet qeverisës, nuk është njoftuar për aksionin. Qëndrimi im është se kjo është çështje politike dhe se dikush mori vendim politik që të zhvillohet ky aksion, meqë ky nuk është kurrfarë sekreti se kjo ndërmarrje ka punuar për shumë vjet, dhe se ne jemi përpjekur që, nëpërmjet procedurave ligjore, të Kosovës të sigurojmë licencën”, ka theksuar Jevtiq.

Asistim për mbylljen e institucioneve paralele, Policia ka bërë edhe në Komunën e Leposaviqit. Aty i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës, Lulzim Hetemi.

“Si kryetar i Komunës së Leposaviqit, bashkë me ekipin tim, jemi të angazhuar që të gjitha asetet tona të jenë në shfrytëzim të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe si të tilla të ofrojmë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Falënderoj Policinë e Kosovës për asistimin dhe për punën e tyre me qëllim të ofrimit të rendit, sigurisë dhe garantimit të respektimit të ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Hetemi.

Për mbylljen e institucioneve paralele kanë reaguar në Zyrën për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, tek e kanë kualifikuar veprimin si të kundërligjshëm. 

“E gjithë kjo po ndodh në praninë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila në heshtje po e vëzhgon terrorin ndaj serbëve dhe përndjekjen e mëtejshme të popullit tonë”, kanë thënë në këtë zyrë, teksa kanë bërë thirrje për reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimit Evropian (BE), në ndërmjetësimin e të cilit zhvillohet dialogu midis Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
E në Listën Serbe, parti kjo më e madhe e serbëve në Kosovë e cila e ka mbështetjen e Beogradit, kanë njoftuar se autoritetet në Kosovë, duke i mbyllur institucionet serbe në Leposaviq dhe në Shtërpcë janë duke bërë përpjekje që “nëpërmjet presioneve, provokimeve dhe dhunës institucionale ta vështirësojnë edhe më shumë jetën e popullit serb në Kosovë”.

Në këtë parti kanë thënë se aksioni për mbylljen e institucioneve serbe është “shkelje e drejtpërdrejtë e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë edhe Marrëveshjen e Brukselit”.

“Ndërhyrjet në ndërtesa nuk do ta ndalojnë shtetin e Serbisë që të jetë pranë të gjithë të punësuarve dhe përdoruesve të shërbimeve që këto institucione ua ofronin të gjithë qytetarëve, pa dallim kombësie”, thuhet në njoftim.

Institucionet që veprojnë sipas sistemit serb kanë funksionuar që pas vitit 1999 në mjediset, në të cilat jetojnë serbët në Kosovë. Autoritetet në Kosovë i konsiderojnë ato të paligjshme, por megjithatë ato janë toleruar. Megjithëkëtë, Qeveria e udhëhequr nga tani kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka filluar mbylljen e tyre që nga fillimi i vitit 2024. Deri më tani janë mbyllur organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale, Posta e Serbisë, Banka Postare Kursimore dhe ndërmarrjet publike.

Mbyllja e këtyre institucioneve është kundërshtuar nga komuniteti serb, por edhe është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, me justifikimin se “aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara” mund të rrisin tensionet në terren. E në BE kanë deklaruar në fillim të këtij viti se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia pritet të zgjidhet nëpërmjet dialogut të Brukselit.