LAJMET E MBRËMJES

Nuk merr zgjidhje financimi i strehimoreve për gratë që përjetojnë dhunë në familje

Financimi i strehimoreve për gratë që përjetojnë dhunë në familje mbetet problem i pazgjidhur, ka thënë Hilmi Jashari, ekspert i angazhuar nga “UN Women”, për të hartuar draftin e ligjit për mbrojtjen nga dhuna e këtillë. Draftin e këtij ligji ish-Avokati i Popullit e ka prezantuar të martën para anëtarëve të Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione.

“Ne kemi pasur deri tani, ne vazhdojmë të kemi problem me financimin e qëndrueshëm për strehimore. Ky është problem i parë që duhet evidentuar. Dhe e dyta është te programet, sepse ne nuk kemi pasur asnjë program që pastaj do t’u ofrohej kryerësve të dhunës. Edhe aty gjithashtu kam parë defekte”, ka thënë Jashari.

Duke folur për draftin përfundimtar të projektligjit, Jashari ka theksuar se gjatë hartimit të tij janë marrë për bazë standardet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes nga dhuna në familje dhe i është përmbajtur Konventës së Stambollit.

“Janë dy fenomene në koncepte të përgjithshme që shoqëria jonë sipas konventës kombëtare duhej të mobilizohej që të kishte parandalim, mirëpo gjithashtu edhe mbrojtje. Kjo vë barrë mbi institucione të shtetit, në politika, në strategji, në organizim, në të dhëna e të tjera, të cilat në njëfarë mënyre tashmë janë bërë, mirëpo dallon prej procesit penal që ligji për dhunën në familje e ka pasur synim kryesor për herë të parë kur është miratuar në Kosovë e deri në plotësim ndryshimet që kanë ndodhur më herët”, ka thënë Jashari.

Jashari ka bërë të ditur se gjatë hartimit të projektligjit janë përfshirë shumë dispozita nga fusha e së drejtës civile, në mënyrë që ky dokument të zbatohet plotësisht në praktikë dhe të japë rezultate të mira dhe të prekshme.