Përvjetori i 24-t i masakrës në Burgun e Dubravës, ku u ekzekutuan 100 e u plagosën mbi 200 të burgosur shqiptarë shënohet me kujtimin e të mbijetuarve për mizoritë e përjetuara, e me kritikën për drejtësinë e munguar për të dhe për të gjitha krimet e tjera të kryera në Kosovë nga forcat serbe
Enver Dugolli ka përjetuar masakrën e parë me sytë e tij, atë që Asllan Selimi e ka përshkruar në “Tmerri ka emër”, librin që është promovuar të premten e që i kushtohet masakrës në Burgun e Dubravës, aty ku 24 vjet më parë 100 të burgosur shqiptarë u ekzekutuan e mbi 200 të tjerë u plagosën nga të shtënat e pjesëtarëve të armatosur serbë.
Dugolli, që në burgjet e Serbisë u mbajt deri më 2001, ka nisur vetë të kërkojë drejtësinë e munguar për masakrën ndër më të tmerrshmet në luftën e fundit në Kosovës, që zgjati nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999.
Ai së fundi i është drejtuar me një kërkesë të detajuar Prokurorisë Speciale në Hagë, ku kërkon nisjen e hetimeve kundër planifikuesve dhe kryerësve të masakrës së Burgut të Dubravës.
24 vjet nuk ka një proces të mirëfilltë hetimor apo gjyqësor që është ndërmarrë në ndonjë institucion të drejtësisë dhe pikërisht nga ky fakt, nga kjo e dhënë, kam marrë iniciativën që t’i drejtohem Gjykatës Speciale”, është shprehur Dugolli.
Dëshmitarët kanë treguar se si rreth një mijë të burgosur janë rreshtuar në oborrin e burgut që atëherë shërbente si burg i sigurisë së lartë dhe më pas janë qëlluar. Për të ka shumë dëshmi, e asnjë të dënuar.
E për të dokumentuar përjetimet e tmerrshme, Asllan Selimi, po ashtu ish-i burgosur e i mbijetuar tjetër, ka promovuar të premten në Bibliotekën Kombëtare librin me titull “Tmerri ka emër”. Në këtë ditar historik janë radhitur kujtime nga lufta, burgu, gjykimi, dënimi e më pas masakra në burg.
Redaktori i këtij libri, Lan Qyqalla, e krahasoi atë me ditarin e Ana Frankut që u shkrua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se libri duhet t’u shërbejë gjeneratave të reja, si një dëshmi e vuajtjes së të burgosurve shqiptarë.
“Është një ditar që është shkruar me vuajtje, tortura, maltretime, thyerje të gjymtyrëve të atdhetarëve shqiptarë nga pushtuesi serb. Ditari që është shkruar në dorën e pushkës e idealin e lirisë. Ky ditar duhet ruajtur në memorien tonë historike, letrare, artistike e kombëtare”, ka thënë Qyqalla.
E shoku i burgut i Selimit, ish-deputeti Nait Hasani, u shpreh se arrestimi i Asllanit e torturat e përjetuara nga ai janë dëshmi e mjaftueshme e përgjithësimit të torturave ndaj të cilave janë ekspozuar të arrestuarit shqiptarë. Duke kujtuar se çfarë kanë kaluar, Hasani përmendi disa nga format e dhunës që ushtroheshin mbi ta nga forcat e serbe të cilat tha se janë përshkruar më së miri nga Asllani.
“Një dhunë sistematike e pandërprerë me të gjitha metodat më barbare të inkuizicionit mesjetar, deri te torturat me dritë e pagjumësi me net të tëra, e me shkreptimën e elektroshokut ishin çmendurake. Por, pavarësisht torturave e dhunës qëndresa ishte e pathyeshme”, është shprehur Hasani.
Qëndresa e Asllanit e përpjekja e tij për ta dokumentuar mizorinë e forcave serbe u vlerësua edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një letre të lexuar nga deputeti Hydajet Hyseni, i burgosur politik në kohën e regjimit të Jugosllavisë.
“Libri dëshmi e ditar ‘Tmerri ka Emër’ është edhe një kontribut i çmuar në dokumentimin (madje në hollësi) e ekzekutimeve masive e gjenocidale të të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, torturat dhe keqtrajtimit ndaj të burgosurve shqiptarë, si dhe shpirtin liridashës të të burgosurve politikë që nuk thyhej e nuk dorëzohej para mizorive të shumta të ushtruara gjithandej në burgjet serbe. Asllani me këtë libër po shlyen një obligim të cilin ia pati dhënë vetes qysh kur ishte prapa grilave”, kishte shkruar Kurti.
Asllan Selimi, ndonëse ishte i pranishëm, nuk qe në gjendje të mirë shëndetësore për të mbajtur një fjalë rasti. Në emrin e tij të pranishmit i përshëndeti dhe i falënderoi i vëllai Ramadan Selimi.
"Në emër të Asllanit, në emër të bashkëshortes së Asllanit, Ilires, në emër të Drenit, djalit të Asllanit, ju falënderoj për pjesëmarrjen kaq masive që me të vërtetë ne si familjarë po ndihemi shumë krenarë. Gjithashtu ju përshëndes dhe falënderoj shumë edhe në emër të vëllait, Rexhepit që sot padrejtësisht është në Hagë bashkë me shokë të tij”, ka thënë Selimi.
Në Burgun e Dubravës, para se t’i vrisnin, forcat serbe kishin mbledhur pengjet shqiptare të gjendura në burgjet e Serbisë dhe i kishin kthyer aty, për ta bërë më pas ekzekutimin masiv të tyre.
Për krimin në këtë burg, ashtu si edhe për të gjitha masakrat anekënd Kosovës, institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare kanë dështuar të vënë drejtësinë.
Prokuroria Speciale nuk i ka kthyer fare përgjigje KOHËS kur janë pyetur se pse edhe 24 vjet pas nuk është ngritur asnjë aktakuzë.