Një nga aktivitetet qendrore të shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës ishte edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe i Policisë së Kosovës. Mijëra ushtarë e policë parakaluan në kryeqytet, të përcjellë me duartrokitje e ovacione të shumta
Qendra e kryeqytetit ushtoi nga madhështia e ushtarëve e policëve të Kosovës, në 25-vjetorin e çlirimit.
Mbi 1500 trupa të Ushtrisë e të Policisë, të ndarë në 25 kuadrate nga të gjitha njësitë, marshuan të mërkurën mes qindra qytetarëve e parakaluan para përfaqësuesve shtetërorë, ndërkombëtarë e mysafirëve të shumtë.
Parakalimi i secilës njësi ngjallte entuziazëm e nxiste duartrokitje të forta e të pandërprera.
Ushtarët me armë në duar e të rreshtuar në mënyrë precize, herë pas here ritmit të instrumenteve që i shoqëronte, iu bashkoheshin me thirrje të ndryshme.
Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, u shpreh krenar me atë që është pasardhëse e UÇK-së - me ushtrinë.
“Qysh ma mirë, në jetë tem ma i kënaqur nuk jam kanë kurrë që e arritëm edhe çlirimin e Kosovës. Do gjak është derdhë por është pagu ata gjak. Dhimbje s`ka, veç krenari”, tha ai.
Krenarë me paraqitjen e disiplinën e ushtarëve dhe të policëve u shprehën edhe qytetarë nga vende të ndryshme, në Kosovë e jashtë saj.
Paraprakisht, kontributi i ushtarëve të UÇK-së dhe i atyre që ranë për liri u çmua nga udhëheqësit e shtetit.
Presidentja Vjosa Osmani teksa falënderoi aleatët për ndihmën, tha se UÇK-ja e KFOR-i 25 vjet më parë, frikën e dhimbjen i kthyen në shpresë për qytetarët.
Dha edhe një mesazh për aleatët në lidhje me FSK-së e policët që parakaluan më pas.
“Të nderuar aleatë këto forca që do të parakalojnë sot janë forca të paqe, janë në mbrojtje të paqes por do të jenë sot e përjetë në mbrojtje të lirisë së larë me gjak. Do të jenë sot e përjetë e me çdo kusht e çdo çmim në mbrojtje të Kosovës në çdo cep të saj”, deklaroi Osmani.
Përparimin e FSK-së, kryeministri Albin Kurti në veçanti ia atribuoi qeverisjes së tij trevjeçare.
Tha se ushtria kurrë nuk ka qenë më e armatosur, e pajisur, e trajnuar dhe e shkolluar se që është sot.
“Prej nga kur ushtarët tonë kishin vetëm armatim të lehtë personal, tani janë pajisur edhe me armë të kalibrave të rëndë, me mijëra tyta artilerie dhe deri me donët Bayraktar të cilëve së shpejti do të ju shtohet edhe sistemi amerikan rakteror anti tank javelin”, tha Kurti.
Krenar me atë që është bërë për Kosovën është shprehur edhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.
“Ushtria e Milosheviqit u largua, NATO-ja hyri, refugjatët u kthyen në shtëpi. Jam aq krenar se çfarë kemi bërë atëherë, dhe krenar që të jem sot këtu në një Kosovë paqësore, multientike, në zemër të Evropës, i ndërtuar si një shtet demokratik”, theksoi ai.
Pas përfundimit të ceremonisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ai i Shqipërisë, Bajram Begaj, takuan shumë nga qytetarët që ishin prezentë e bënë fotografi me ta. Interesim për të biseduar e bërë fotografi pati edhe për ish-shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker.