LAJMET E MBRËMJES

Marsh në Ferizaj kundër përdorimit të narkotikëve nëpër shkolla

Nxënës të shkollave, pjesëtarë të Policisë dhe ata të organizatave joqeveritare, të enjten kanë realizuar në Ferizaj një marsh me qëllim të parandalimit të përdorimit të narkotikëve. Aktiviteti është realizuar, pas publikimit të të dhënave të fundit të cilat treguan se numri i përdoruesve të drogave nëpër institucionet shkollore të qytetit është në rritje të vazhdueshme

Me moton “Drogat vrasin”, pjesëtarë të Policisë, ata të organizatave joqeveritare, si dhe nxënës të përzgjedhur të shkollave të Ferizajt, kanë mbajtur të enjten një marsh nëpër rrugët e qytetit, me qëllim të parandalimit të narkotikëve mes të rinjve.

Aktiviteti i organizuar në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt është mbajtur pas raportimeve për rritjen e vazhdueshme të numrit të përdoruesve të drogave nëpër institucione shkollore.

Me qëllim të parandalimit të dukurisë, drejtues të Policisë kanë mbajtur edhe ligjërata nëpër shkolla.

“Policia e ka fokusin e veçantë në parandalim dhe pastaj edhe në zbulim të dilerëve të ndryshëm të drogave. Në këtë aspekt, kompetencat janë të ndara sa i përket luftimit të narkotikëve, derisa me sasi të vogla merret Drejtoria Rajonale e Policisë, ndërkaq me sasi të mëdha merret Njësiti i centralizuar antidrogë, po ashtu, me seli në Ferizaj”, ka thënë Basri Shabani, drejtor i Policisë për rajonin e Ferizajt.

Arjeta Musliu, drejtoreshë e qendrës “Rijeta”, që merret me trajtimin e narkotikëve, ka bërë të ditur se gjatë viteve të fundit janë trajtuar rreth 2400 përdorues të drogave, ndërkaq në pritje për trajtim janë edhe 400 të tjerë. Ajo ka theksuar se në dyert e qendrës po trokasin përherë e më shumë adoleshentë.

“Numri është çdo ditë në rritje, moshat janë çdo ditë e më të vogla, duke filluar nga mosha 12-vjeçare. Fatkeqësisht dua të ndaj një rast që ka ardhur nga Komuna e Ferizajt, i moshës 10-vjeçare e që është imponuar dhe nuk i ka pasur informatat se çfarë është. Ai individ ka kaluar në overdozë si marshuan, kanabisin, kështu që me keqardhje po e themi se numrin e kemi çdo ditë në rritje”, ka thënë Musliu.

Nxënësve që kanë marrë pjesë në marsh u është shfaqur edhe një dokumentar, me qëllim të parandalimit të dukurive negative të përdorimit të narkotikëve.