LAJMET E MBRËMJES

Marigona Osmani u përdhunua, u gjakos dhe në fund u ngulfat

Për më shumë se 24 orë, dhunë seksuale e fizike kishte përjetuar Marigona Osmani deri në vdekje. Ngjarja është përshkruar në aktakuzën kundër të dyshuarve Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu, dhe në pjesë të madhe është bazuar në xhirimet e regjistruara nga kamerat e vendosura në banesën ku është kryer krimi. Mes emocioneve për dhunën së cilës i ishte nënshtruar e bija, babai i 18-vjeçares së ndjerë apelon tek institucionet që vrasësve t’u shqiptohet dënim i merituar

Muhabi Osmani nuk ka zemër ta lexojë aktakuzën 24-faqëshe që përshkruan torturat dhe abuzimet që u ishte nënshtruar vajza e tij, Marigona, përpara se të mbytej nga Dardan Krivaça, e në të cilën është implikuar edhe Arbër Sejdiu.

Aktakuza të cilën KOHA e ka siguruar të mërkurën, është e bazuar në xhirimet që i kishin regjistruar kamerat e instaluara në banesën ku Marigona Osmani ka përjetuar torturat, të cilave nuk ka mundur t’u mbijetojë. Krivaça i kishte vendosur kamerat për ta përcjellë të dashurën, meqë dyshonte se po e tradhtonte me një të afërm. Por, xhirimet tani kanë zbardhur mizoritë e tij.

“Të ketë dënim maksimal për kriminelët”, është apeli që ua drejton institucioneve babai i Marigonës, e nga të cilat kërkon që procesi gjyqësor të mos zvarritet.

Aktakuza e ngritur ndaj Dardan Krivaçës e Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit, edhe një herë ia ka kthyer dhimbjen Muhabiut për humbjen e së bijës. Ai nuk mund të flasë shumë për këtë rast.

“Kjo është vrasja më e rëndë që ka ndodhur prej pasluftës në Kosovë dhe kemi pritur edhe aktakuzën e dytë. Aktakuza ka qenë për vrasje të rëndë e tash kjo e dyta është edhe për dhunim”, thotë ai me gjysmë zëri.

Dhunë seksuale e fizike deri në vdekje

Prokuroria Themelore në Ferizaj, një ditë më parë njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarve Krivaça e Sejdiu. Në aktakuzë është përshkruar dhuna që dy të pandehurit ushtruan ndaj Marigona Osmanit në gusht të vitit të kaluar në Ferizaj.

Sipas dokumentit të prokurorisë, të siguruar nga KOHA, Osmani është dhunuar seksualisht deri sa e ka humbur vetëdijen. Kjo është parë në videoincizimet e marra në banesën e Krivaçës, ku edhe ka ndodhur vepra penale.

“Se gjatë marrëdhënies seksuale është përdorur forca, vërtetohet nga videoincizimet, si dhe fotot e bëra nga njësia e forenzikës, ku vërehen në tërë trupin e së ndjerës hematome, si dhe dërrmishje. Po ashtu, gjatë dhunimit është përdorur edhe një kabllo e zezë për mbushje të telefonit, e cila e kishte të dëmtuar kokën hyrëse, e në bazë të dëmtimeve trupore rezulton se e njëjta është përdorur nga i pandehuri Dardan Krivaça”, thuhet në aktakuzë. “Gjithashtu, fakti se në shtratin ku ka qenë e ndjera është gjetur ujë e po ashtu janë gjetur shishe, të zbrazura dhe gjysmë të zbrazura, është rrethanë që tregon se i pandehuri me qëllim që e njëjta t’i ndiejë sa më shumë dhimbjet, ujin e ka përdorur për ta këndellur”.

Sipas këtij dokumenti që tashmë i është dorëzuar Gjykatës, të dyshuarit kanë tentuar edhe t’i zhdukin pamjet nga video-kamerat.

Të dy shokët akuzohen për veprën penale “Vrasje të rëndë”.

“Me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale ‘dhunimi’ e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore, në atë mënyrë që në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast së njëjtës i shkaktojnë dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik”, shkruhet në aktakuzë.

Raporti i autopsisë

Lëndimet dhe detajet e dhunës që përjetoi për më shumë se 24 orë 18-vjeçarja nga Ferizaj, përshkruhen edhe në raportin e autopsisë.

“Vdekja e së ndjerës Marigona Osmani ka ardhur për shkak të politraumës (lëndimeve të shumëfishta), ku politrauma dhe vdekja ka ardhur drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike dhe shoku hemorragjik e traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme (nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme-mandibullës, pastaj thyerje e brinjëve 2 djathtas dhe 1-3 majtas, klavikulës së majtë, unazave 1-2 të qafës mes tyre, gjakderdhjes epidural dhe subdural në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, si dhe këputjes parciale të palcës së kurrizit në qafë, të cilat kanë ardhur nga shtypja, goditjet apo përplasja nga ndonjë mjet i fortë dhe i rëndë mbetës”, është cituar në aktakuzë raporti i Autopsisë.

Dëshmia e nënës së Marigonës

Në 6 faqe të aktakuzës shkruhet edhe dëshmia e nënës së Marigona Osmanit. Ajo ka përshkruar lidhjen e së bijës me Krivaçën. Teksa ka shpjeguar se në vazhdimësi ka vënë re ndryshime te vajza, ka thënë se për disa raste të dhunës i ka kuptuar tek pas vdekjes.

“Këtë fakt ia kanë treguar kur kanë ardhur në të pame shoqet e vajzës së ndjerë të cilat i kanë treguar se vajza ka qenë e maltretuar nga Dardani dhe të njëjtat i kishin sugjeruar vajzës të ndjerë që të largohet nga ai dhe t’i lajmërojë prindërit dhe ta paraqesë rastin në polici”, thuhet në dëshminë e nënës së viktimës.

Nëna e Marigona Osmanit ka thënë gjatë dëshmisë se gjatë një takimi që ka pasur me të ëmën e të pandehurit Krivaça, ajo i ka thënë se “djali i saj ka qenë në burg para rreth një muaji, mirëpo ka theksuar se ‘unë kam shumë të njohshëm dhe kam ndikim në persona me nivel të lartë. Djali im edhe pse ka dashur që ta mbysë një polic me thikë të cilit ia ka vendosur në qafë, mirëpo falë ndikimit tim policit ia kam sjellë punën që ta tërheqë padinë’”.

Në deklaratën dhënë në prokurori, ajo ka thënë se pos goditjes nga vdekja e vajzës ka frikë edhe për fëmijët e tjerë.

Dëshmia e të dyshuarit Arbër Sejdiu

Dardan Krivaça ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Ndërkaq, versionin e tij e ka dhënë shoku i Krivaçës, Arbër Sejdiu, që po kështu akuzohet për vrasje.

Sejdiu kishte folur vetëm në stacionin policor në Ferizaj, pasi që ishte arrestuar. Ai kishte deklaruar për problemet që kishte pasur Marigona me të dashurin e saj dhe kishte thënë se në ditën kritike, atë e kishte zënë gjumi dhe kur ishte zgjuar e kishte parë të ndjerën në gjendje të rëndë.

“Tutje thekson se e ka zënë gjumi dhe e ka dëgjuar zërin e Dardanit duke e thirrur, kur është zgjuar menjëherë ka hyrë në dhomën e Dardanit ku ka parë të ndjerën Marigona Osmani e cila ishte e shtrirë në krevat lakuriq dhe në trup kishte mavijosje, ndërsa Dardani mundohej të jepte ndihmën e parë, në ato momente e ndjera nga goja ka vjellë diçka zi”, kishte thënë gjatë intervistës Sejdiu dhe kishte theksuar se Krivaça kishte dyshuar se e dashura e tradhtonte me një familjar të tij.

Kjo dëshmi, sipas prokurorisë, bie në kundërshtim me pamjet që shihen në video incizime.

“Pretendimi se ditën dhe kohën e vrasjes ka qenë në gjumë, nuk qëndron pasi nga video-incizimet rezulton se në kohën kur është kryer vrasja ka qenë në dhomën e së ndjerës së bashku me të pandehurin Dardan Krivaça”, shkruan në aktakuzë.

Krivaça akuzohet edhe për veprën penale “dhunimi”, ndërsa Sejdiu për veprën penale “ndihmë në kryerjen e dhunimit”.

Por, këtë aktakuzë e shkresa të tjera të lëndës, avokati i Dardan Krivaçës, thotë se nuk i ka pranuar nga Prokuroria. Ai është treguar kritik në prokurorinë, për faktin që përmbajtja e aktakuzës ka dalë në media.

“Për hir të aspektit kushtetues të këtij vendi ne duhet ta bëjmë një gjykim të drejtë dhe një trajtim të drejtë dhe më pas kur të vendoset në gjykatë mund të flasim edhe për çështje të tjera, e jo të kemi idenë t’i paraqesim çështjet në publik”, ka thënë ai.

Aktakuza tregon të dhënën se i dyshuari kryesor për vrasjen dhe dhunimin e Marigona Osmanit, ka më shumë se 100 precedente penale përgjatë 15 vjetësh.

“Nga informacionet e personit të marra nga Policia e Kosovës vërtetohet se i pandehuri Dardan Krivaça është i dyshuar që nga viti 2006 për kryerjen e 133 (njëqind e tridhjetë e tre) veprave penale të ndryshme. Po ashtu, vërtetohet se i pandehuri Arbër Sejdiu është i dyshuar për disa vepra penale të ndryshme”, thuhet në aktakuzë.

Vrasja e 18-vjeçares, pati nxitur reagimin e krerëve institucionalë, përfaqësuesve të shoqërisë civile. Pas ngjarjes, u organizuan edhe protesta, nëpërmjet të cilave është kërkuar dënim meritor për kryerësit e dhunimit dhe vrasjes.