Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se me miratimin marrëveshjes në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara zgjerohet edhe në fushat në të cilat nuk ka pasur marrëveshje më herët. Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë, Maqedonci ka folur edhe për deklaratën e sekretarit të NATO-s, Mark Rutte, për mandatin e Forcës së Sigurisë të Kosovës si dhe për ndërtimin e fabrikës së municionit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin Kosovën në ngritjen e kapaciteteve ajrore dhe në industrinë e mbrojtjes, ka thënë të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Këtë ai e ka thënë pas mbledhjes së Qeverisë, në të cilën i është dhënë miratim nismës për lidhje të marrëveshjes kornizë për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në fushën e mbrojtjes.
Me këtë marrëveshje, Maqedonci ka thënë se bashkëpunimi me SHBA-në zgjerohet edhe në fushat të tjera, për të cilat më herë nuk ka pasur ujdi.
“E kemi mbështetjen e SHBA-së për blerjen e helikopterëve, siç kemi edhe për blerjen e shumë sistemeve të tjera që do t’i kemi në FSK, në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit që parasheh ndërtimin e këtyre kapaciteteve, që nënkupton periudhën nga tani deri më 2028”, ka theksuar ministri i Mbrojtjes, i cili të mërkurën ka pasur takim me komandantin e ushtrisë amerikane për Evropë dhe Afrikë, Christopher Donahue.
Tek ka folur mbi marrëveshjen, Maqedonci ka bërë të ditur se ajo përbëhet nga pesë pika: planifikimi dhe qeverisja e mbrojtjes, menaxhimi i resurseve humane dhe të mbrojtjes, ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake, bashkëpunimi me qëllim angazhimin rajonal dhe ndërkombëtar dhe qëndrueshmëria strategjike.
“SHBA-ja do ta mbështesë Republikën e Kosovës me ndërtimin e kapaciteteve strategjike ushtarake, duke përfshirë edhe mbrojtjen ajrore, kapacitete ajrore edhe fushat e tjera për të cilat ne jemi duke punuar për t’u ndërtuar në fazën e tretë të tranzicionit”, ka thënë Maqedonci.
Sipas Maqedoncit, marrëveshja parasheh edhe mbështetjen e SHBA-së në aspektin teknik dhe procedural të rrugëtimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Aleancën Veriatlantike të NATO-s.
“Përmes kësaj marrëveshjeje, SHBA-ja është zotuar se do të na mbështesë, në aspektin teknik, procedural dhe aspekte të tjera Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, por gjithashtu edhe në iniciativat rajonale”, ka thënë ai. Maqedonci ka bërë të ditur se për këtë marrëveshje ai është dakorduar me zyrtarët amerikanë gjatë vizitës së tij në SHBA në janar të këtij viti teksa ka shtuar se marrëveshja është e ngjashme me paktin në fushën e mbrojtjes që Kosova e ka arritur vitin e shkuar me Turqinë.
E lidhur me fabrikën e municionit, Maqedonci ka thënë se janë duke u bërë vlerësime për lokacionin porse ka shtuar që gjasat më të mëdha janë që ajo të ndërtohet në pjesën perëndimore të Kosovës.
“Normalisht, për ne është shumë e rëndësishme që të ndërtohet në një vend të sigurt, jashtë rrezes së veprimit të rrezikut që mund të vije për këtë fabrikë dhe më e mundshmja që do të ndërtohet në pjesën perëndimore të vendit tonë”, ka thënë ai.
Ministri Maqedonci ka komentuar edhe deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili gjatë vizitës të së martës në Prishtinë e ka kualifikuar FSK-në si forcë humanitare. Maqedonci ka thënë se kjo deklaratë është në kuadrin e qëndrimeve neutrale të NATO-s karshi ndryshimeve kushtetuese të mandatit të ushtrisë teksa ka shtuar se është duke u punuar që Aleanca Veriatlantike ta njohë mandatin e ri të FSK-së.
Në konferencën për shtyp, Maqedonci është pyetur edhe mbi mundësinë e reduktimit eventual të pranisë ushtarake të SHBA-së në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Ai ka thënë se Kosova vazhdon ta ketë konfirmimin që ushtria amerikane do të jetë në kuadër të KFOR-it.
“Përveç prezencës ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it, ne jemi të interesuar dhe po vazhdojmë që të diskutojmë me SHBA-në për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it, pra në aspektin bilateral, duke qenë pjesë e aktiviteteve të përbashkëta me FSK-në në Kosovë”, ka thënë ai, duke përmendur trajnimet dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave për “qëllimet e përbashkëta strategjike”.
Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Washingtonit zyrtar në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në muajin shkurt, kur ai ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.
Nga afër 100.000 trupa amerikane në Evropë, 600 prej tyre janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë. Ditë më parë, në Departamentin amerikan të Mbrojtjes kanë thënë se aktualisht nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionit të forcave të tyre.
SHBA-ja ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për strukturat e mbrojtjes dhe të sigurisë në Kosovë, duke ofruar trajnime për pjesëtarët e strukturave të sigurisë, duke e mbështetur transformimin e FSK-së në ushtri, por edhe nëpërmjet dhurimit të pajisjeve të ndryshme ushtarake.
Në të kaluarën, Kosova ka arritur marrëveshje me SHBA-në, por edhe me shtete të tjera, për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.
E krahas nismës për marrëveshjen me SHBA-në, në mbledhjen e Qeverisë së të mërkurës u është dhënë miratim edhe një sërë vendimeve të tjera. Në mesin e tyre është ai për një projekt rregullor, për shpronësim të pronave, për lidhjen e marrëveshjeve me Shqipërinë për bashkëpunim ndërkufitar si dhe për lidhjen e marrëveshjes me Britaninë e Madhe dhe me Irlandën për çështje juridike.