LAJMET E MBRËMJES

Mandl: Palët të vendosin propozime në tavolinë. Palokaj: Kjo do ta zvarriste edhe më shumë dialogun

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të vendosin diçka në tavolinë nëse duan t’u japin zgjidhje problemeve dhe të mos presin vetëm nga BE-ja. Ai ka thënë se kjo qasje duhet të ndiqet edhe nga Qeveria e re e Kosovës. Por, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se idetë e reja në dialog vetëm sa do ta zvarrisnin edhe më shumë procesin

Për adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve në dialog, Kosova dhe Serbia duhet të ofrojnë diçka në tavolinë, ka thënë eurodeputeti austriak, Lukas Mandl. Në një intervistë për Kosova Press, Mandl ka theksuar se palët duhet të lëvizin vetë dhe të mos presin vetëm nga Bashkimi Evropian (BE), se çka do t’u vendosë në tryezën e bisedimeve.

Këtë lloj qasje karshi dialogut, Mandl ka thënë se duhet ta ndjekë Qeveria e re e Kosovës.

“Kjo duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, të parlamentit të ri në Republikën e Kosovës, që të ketë një agjendë të qartë, të qartë se si të zgjidhen problemet, se si të adresohen çështjet e hapura të pazgjidhura”, ka thënë Mandl.

Por, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se dialogu në këtë pikë ka më së paku nevojë për propozime a ide të reja që dalin nga palët, të cilat thotë se mund të kthehen në kërkesa, që do ta zvarrisin edhe më shumë procesin.

“Dialogu është duke zgjatur për më shumë se 14 vjet dhe më së paku që ka nevojë është për ide apo propozime të reja. Sa herë dikush kërkon propozime apo ide nga palët, atëherë ato shndërrohen më shumë në kërkesa ndaj palës tjetër sesa në shprehje të gatishmërisë së palëve për të bërë diçka. E ardhmja e dialogut varet më së shumti, megjithatë, nga Bashkimi Evropian. BE-ja duhet të japë përgjigje a ekziston apo jo marrëveshja dhe nëse insiston BE-ja që marrëveshja ekziston, atëherë duhet ta sanksionojë Serbinë për refuzimin që po bën ajo për zbatimin e pikave kryesore”, ka thënë Palokaj.

Ai thekson se BE-ja duhet të jetë më insistuese ndaj palëve, por thotë se nëse vazhdon me këtë ritëm, dialogu do të jetë proces i pafund.

“Po të insistojë BE-ja që Serbia duhet të përmbushë obligimet e saj, pra të respektojë Kosovën, të respektojë integritetin territorial dhe të mos kundërshtojë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, do ta ketë të lehtë për ta bindur Kosovën që të zbatojë edhe marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në rast se BE-ja vazhdon me këtë ritëm, atëherë dialogu do të vazhdojë të jetë si një proces i pafund”, ka shtuar ai.

Por, Mandl thotë se përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas e ka marrë me seriozitet dialogun Kosovë-Serbi, ndryshe nga përshtypjet që janë krijuar për paraardhësin e saj, Joseph Borrell.

“Ajo kupton se nuk është një shtet më i rëndësishëm se tjetri. Diçka që mund të keni përshtypjen se ka qenë rasti për ish-përfaqësuesit e BE-së që ishin aktivë këtu në rajon, veçanërisht në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, kam shpresë që Komisioni i ri Evropian do të jetë më i mirë në menaxhimin e këtij dialogu dhe ata mund të inkurajojnë çdo palë, palën kosovare dhe palën serbe, që të angazhohen vërtet në një dialog pozitiv”, është shprehur Mandl.

Takimi i fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka qenë në shtator të 2023-s, disa ditë para sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Ka pasur përpjekje për takime të tjera, por palët nuk janë dakorduar. Në qershorin e vjetëm negociatat u zhvilluan në dy runde takimesh me përfaqësuesit e BE-së, meqë nuk pati pajtueshmëri për takim trepalësh.