LAJMET E MBRËMJES

LVV-ja përjashton dy asamblistë të Prishtinës, Berat Lahu hedh akuza ndaj partisë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka përjashtuar nga partia dy asamblistë të saj të Prishtinës, Berat Lahun dhe Edmond Azemin, të cilët muajve të fundit janë distancuar nga veprimet e degës më të madhe të partisë. Të dy i kanë ndryshuar edhe ulëset, dhe gjatë seancës së tretë për sivjet, janë prezantuar si asamblistë të pavarur

Dy asamblistë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Berat Lahu dhe Edmond Azemi, janë përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Gjatë seancës së tretë të asamblesë komunale për 2025-n, ata të premten janë pozicionuan si të pavarur, duke u ulur në fund të sallës, larg asamblistëve të tjerë të partisë.

E pas fillimit të seancës, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar për përjashtimin e tyre dhe ka bërë të ditur se vendimi është marrë nga komisioni disiplinor i këtij subjekti politik.

“Berat Lahu dhe Edmond Azemi nuk janë më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje!, me vendim të komisionit disiplinor të Lëvizjes. Vendimi i parë është marrë me datën 10.03.2025. Votimi dhe prezenca në seanca në të cilat dëmtohet interesi publik dhe tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve për interesa të ngushta, janë arsyet e këtij përjashtimi. Rruga jonë është gjatë dhe vështirë, ata që për interesa personale tjetërsojnë këtë rrugëtim nuk kanë vend në Lëvizje”, është bërë e ditur në njoftimin e LVV-së.

E, asamblisti Lahu ka shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si dega e Vetëvendosjes udhëhiqet në Prishtinë, prej se në krye të saj është vënë, Arben Vitia.

“Në 2017 kryetar zgjidhet Arben Vitia dhe që në vitin e parë ka pas ankesa rreth punës që është bërë. Kemi pasur ankesa për mënyrën se si nuk është punuar në fakt. As edhe një mbledhje, as edhe një procesverbal nuk ekziston në Qendrën e Prishtinës qe 4 vjet. 2017 dhe 2021 nuk e kemi as edhe një asamblist më shumë, kemi stagnim, ndërsa garën për kryetar e humbim trupërisht, unë ia kam thënë Arben Vitisë që ne kemi humbur dhe nuk ka fituar LDK-ja as Përparim Rama, kandidati nuk ka dashur, ai e ka sabotuar fushatën, ai nuk ka dashur”, ka thënë ai.

Mospajtimet e këtyre dy asamblistëve dhe Vetëvendosjes janë parë edhe më parë.

Lahu dhe Azemi patën dalë kundër bashkëpartiakëve të tyre në seancën e dhjetorit, kur është mundësuar kuorumi për miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës.

Lahu ka hedhur akuza edhe për ndikimin tek asamblistët, se si të votojnë.

“Në qendrën e Prishtinës, përkundër që me statut i takon vendimmarrja e plotë dhe e vetme për çdo vendim, që të vijnë me mesazh para se të votohen për dhe kundër, thua që 17 vetë aty nuk dinë të mendojnë, por vetëm njëri di, kjo është kritikuar nga shumë asamblistë dhe nuk është ndërruar”, është shprehur Lahu.

Ndaj deklaratave të tij nuk ka reaguar asnjë asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje.

E, në seancën e së premtes, për herë të parë si drejtor i investimeve kapitale është paraqitur Sokol Havolli, pas dorëheqjes së Krenar Xhaferit, i cili e ka lënë këtë post për atë të deputetit.

Megjithëse i është vendosur emri si nënkryetar i Prishtinës, Florian Dushi, nuk ka qenë prezent në seancë.