Lëvizja Vetëvendosje është lavdëruar se si shumicë parlamentare ka thyer shumë rekorde dhe se kjo është legjislatura më punëtore deri më tash. Në një konferencë për media, deputetët e partisë në pushtet u mburrën për miratimin e 36 ligjeve në sesionin pranveror dhe 256 në përgjithësi. Për mospërfundimin e punëve të parapara për sesionin që përfundoi, ata thanë se nuk janë të kënaqur as me veten, derisa opozitën e fajësuan për bllokim reformash
Për thyerje rekordesh është lavdëruar grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me punën e shumicës parlamentare gjatë sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës.
36 ligje të miratuara, prej të cilave 20 për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, 186 mbledhje të komisioneve parlamentare me gjithsej 866 pika të trajtuara, ishin disa prej statistikave të përmendura nga shefja e grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, si dhe nga kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, të hënën.
Në këtë konferencë u tha se legjislatura e tanishme ka thyer rekord në raport me përbërjet e kaluara të Kuvendit, meqë ka miratuar gjithsej 256 ligje.
E për mungesën e shpeshtë të kuorumit, Kusari-Lila tha se nuk janë të kënaqur tërësisht as me veten, e edhe pak me opozitën.
“Nuk mund të themi se jemi në nivelin e kënaqshmërisë më të lartë ne me veten tonë si Kuvend i Republikës, por nuk do të mund të kishim një sukses të cilin e përmendi Adnani në raport me ligjet e miratuara në raport me strategjitë e miratuara sikur mos të kishim pasur angazhim... Sikur të kishim të njëjtin përkushtim nga të gjitha grupet parlamentare me siguri se do të mund të kishim sukses më të madh. Mos të harrojmë se një numër të konsiderueshëm të seancave ne si pozitë kemi qenë të vetëm në miratimin e ligjeve për shkak se opozita e ka bojkotuar qoftë votimin apo prezencën”, tha Kusari-Lila.
Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për Legjislacion, foli për ligjet që janë shpallur pjesërisht antikushtetuese. Për këtë akuzoi opozitën e veçanërisht PDK-në, duke thënë se po abuzon apo, siç tha, po “e stërkeq” instrumentin e dërgimit të lëndëve në Gjykatën Kushtetuese si mjet për bllokim reformash madhore.
Por krejt ndryshe, punën e Kuvendit e kanë vlerësuar monitoruesit nga shoqëria civile. Instituti i Kosovës për Drejtësi në një raport ka vlerësuar se Kuvendi po e shkel Kushtetutën duke mos i ndryshuar e plotësuar ligjet që kthehen si pjesërisht në shpërputhje me Kushtetutën. Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, tha se Kuvendi nuk është duke e shkelur Kushtetutën. Lidhur me mosndryshimin e Ligjit për Pagat që parashihet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese brenda gjashtë muajve, Rrustemi tha se ky afat nuk është i rreptë.
“Ky afat nuk duhet të shihet si afat rigoroz në kuptimin administrativ të fjalës. Ato dispozita janë tashmë të shfuqizuara, por që Kuvendi e ka një dinamikë ndoshta nuk mundet për gjashtë muaj, por i adreson për shtatë muaj, sepse i duhet ta miratojë një ligj të ri për ato nene ose mbase do të mund ta bëjë edhe për tre muaj, varësisht prej kompleksitetit të projektligjit, konsultimeve publike e të tjera”, tha Rrustemi.
Rrustemi, ndonëse e kritikoi Kushtetuesen për, siç tha, “aktgjykime abstrakte”, u shpreh se do të përmirësohen pjesët e ligjeve që janë shpallur në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të vendit.