LAJMET E MBRËMJES

LVV-ja kërkon anulimin e mbi 19.000 votave dhe përsëritjen e votimit me postë

Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa me një ankesë, në të cilën ka kërkuar përsëritje të votimit me postë. LVV-ja hodhi dyshime për manipulim të votave nga LDK-ja. Sipas përfaqësuesve të saj, fletëvotimet u plotësuan me stilolaps me ngjyrë të njëjtë, kanë shtypje të njëjtë dhe adresë të njëjtë

Partia në pushtet ka paraqitur ankesë kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare. 

Anëtari i Vetëvendosjes dhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë të hënën se në ankesën drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë tri kërkesa.

“Vendimi duhet patjetër të jetë rivotim dhe rishprehje e vullnetit të qytetarëve. Të anulohen afro 19 mijë vota të LDK-së; të ketë rivotim të sërishëm të votimit me postë; kandidatët që kanë marrë votë pakrahasimisht më shumë me postë sesa në Kosovë të largohen nga lista dhe të mos zëvendësohen me anëtarë të tjerë” ka thënë Sallahu. 

LVV-ja pretendon se në votimin me postë ka pasur vjedhje të votave nga ana e LDK-së. Sipas përfaqësuesve të saj, fletëvotimet u plotësuan me stilolaps me ngjyrë të njëjtë, kanë shtypje të njëjtë dhe adresë të njëjtë. 

Sekretari i LVV-së, Alim Rama, ka përmendur si shembull ilustrues faktin e ndryshimit drastik të numërimit të votave me postë në rastin e kandidatit Hysen Çekaj. 

“Te votimi me postë disa kandidatë që kanë qenë shumë poshtë në listë dalin ndër të parët. Hysen Çekaj prej numrit 26 del i pari, kandidati i dytë më i votuar në Kosovë. Ndërsa pas kërkesës sonë për përfshirjen e votave me probleme teknike, ku aty shihet qartë që fletëvotimet kanë qenë të shtypura në kushte të shtëpisë në krahasim me këto të tjerat që janë shtypur me inxhiniering, në mënyrë të fabrikuar, shihet qartazi një shpërndarje po ashtu krejt normale, ku kandidati Hysen Çekaj dhe këta të tjerët dalin krejt shumë poshtë”, ka thënë Rama. 

Dy anëtarët e LVV-së thanë se e kanë paraqitur rastin në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por nuk kanë ndonjë informatë nëse ka nisur ndonjë hetim. 

Pos Hysen Çekajt, në listën e shpërndarë nga anëtarët e LVV-së janë të nënvizuar me ngjyrë edhe emrat e Gazmend Muhaxherit, Bahrije Hysenit, Alban Zogajt, Jeta Rafuna-Hasanit, Fatmir Asllanit, Qëndrim Softollit dhe Berat Rukiqit – si kandidatë që kanë dalë në 12-shen e parë të votave me postë, por që shumica me përjashtim të Muhaxherit nuk janë në 12-shen e më të votuarve në përfaqësi diplomatike dhe në Kosovë.