Ndërmarrja publike lokale “Pastrimi” është në rrezik të shuhet dhe 900 punonjësit e saj të mbesin pa punë, kanë alarmuar të dielën nga Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Prishtinë. Nga kjo parti është kërkuar që të anulohet tenderi 16.5 milionë eurosh për pastrim të kryeqytetit në tre vjetët e ardhshëm. Sipas Vetëvendosjes, qëllimi është që tenderi t’i jepet një kompanie private dhe që NPL “Pastrimi” të shuhet si ndërmarrje
Asamblisti i LVV-së, Besart Krasniqi, në një konferencë për media të dielën, ka kërkuar që të anulohet tenderi prej 16.5 milionë eurosh i shpallur nga Komuna për shërbime pastrimi për periudhë 3-vjeçare.
Me këtë tender, sipas tij, po i hapet rrugë që menaxhimi i mbeturinave në të ardhmen t’i besohet një kompanie private.
“Të gjithë ne jemi dëshmitarë të gjendjes jo të mirë që mbretëron në Prishtinë sa iu përket mbeturinave, dhe natyrisht që kjo është e papranueshme për ne dhe për qytetarët e Prishtinës. Megjithatë, hapja e kësaj thirrjeje publike nga Komuna e Prishtinës dhe mundësia që mbledhja e mbeturinave të bëhet nga operatorë privatë neve na dëshmojnë që i gjithë procesi i ngufatjes së Prishtinës nga bërlloku, gjatë 3 vjetëve të kaluar, është bërë qëllimshëm nga ekzekutivi komunal, në mënyrë që pastaj të ndryshohet Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave, të futet një nen që lejon futjen në treg të operatorëve privatë, dhe tani hapi i fundit, tenderi i madh 16.5 milionë - ku tregun e marrin privatët, kurse ‘Pastrimi’ në mungesë të të hyrave bankroton dhe 900 familjeve ju rrezikohet mirëqenia”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, Rama dhe ekzekutivi komunal po synojnë ta ndryshojnë Rregulloren e ndërmarrjes “Pastrimi”, përmes së cilës do të lejohej roli më i madh i operatorëve privatë në pastrim të qytetit. Tha se me këtë tender po rrezikohet edhe një grant shumëfish më i madh i Bankës Zhvillimore Gjermane KfW.
“Tenderi prej 16.5 milionë eurosh që planifikohet për operatorët privatë është produkt i filluar nga bashkëqeverisja LDK-PDK dhe tash i vazhduar e gati i realizuar nga LDK-ja në krye me Përparim Ramën. Si rezultat i këtij veprimi të ekzekutivit komunal, tashmë është rrezikuar seriozisht edhe një grant i paraparë në disa faza, e me vlerë të përgjithshme rreth 70 milionë, i KFW për ‘Pastrimin’, e me të cilat mjete do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë problemi i mbeturinave në kryeqytet”, u shpreh ai.
Ai tha se në këtë ndërmarrje ka abuzim, keqpërdorim, keqmenaxhim dhe mbipopullim me militantë partiakë, për çka, sipas tij, ka rezultuar me performancë të dobët.
Kundër shpalljes së tenderit janë edhe punëtorët e “Pastrimit”. Ata kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me protestë të premten, duke deklaruar se po u rrezikohen vendet e punës nga “privatizimi” i shërbimit të pastrimit në kryeqytet.
E nga Komuna kanë deklaruar se punëtorët nuk do të mbeten pa punë dhe se po kontraktojnë shërbime private për mbeturina, meqë ndërmarrja publike nuk po iu del zot obligimeve që ka në raport me qytetarët.
Që nga maji, aktive në kryeqytet është një kompani private, që kryesisht i mbledh mbeturinat në zonën e qendrës.