LAJMET E MBRËMJES

LVV, “GUXO” e “Alternativa”, në një listë për 9 shkurtin

Në një njoftim të përbashkët të të tri partive, të lëshuar pas mbylljes së afatit të së premtes për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore, është bërë e ditur se koalicioni parazgjedhor mes tyre nuk ka mundur që të procedohet formalisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), “për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare”. E pas mbylljes së afatit në orën 16:00, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, kanë thënë se janë 12 parti politike të cilat e kanë kërkuar certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhje, nëpërmjet koalicioneve

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk do të hyjë në koalicion parazgjedhor me partnerët aktualë të qeverisjes, partitë “Guxo” dhe “Alternativa”, porse për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të garojnë bashkërisht.

Në një njoftim të përbashkët, të lëshuar pas mbylljes së afatit të së premtes për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore, është bërë e ditur se koalicioni nuk ka mundur të procedohet formalisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), “për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare”.

“Ne jemi duke punuar intensivisht në hartimin e programit, me të cilin do të shpalosim së bashku ofertën tonë për qytetarët në zgjedhjet e rregullta parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Së bashku synojmë që me votën e qytetarëve të vazhdojmë partneritetin në qeverisjen e ardhshme si dhe punët e mira për Republikën e Kosovës”, është theksuar në komunikatën e tri partive.

Haxhi Avdyli, anëtar i Kryesisë “Guxo”, ka thënë më herët të premten se bashkëpunimi midis tri partive do të vazhdojë edhe për katër vjetët e ardhshëm.

“Zgjidhja më e mirë do të duhej të ishte koalicioni parazgjedhor, meqenëse ne tani jemi parti e konsoliduar. Bisedat e deritanishme kanë shkuar shumë mirë, do të ketë lajme të mira për votuesit tanë dhe aktivistët tanë. Sipas të gjitha gjasave, deri në orën 16:00 do të kemi koalicionin tonë. Do të ketë koalicion parazgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje, Partia “Guxo” dhe “Alternativa”, e cila do të jetë edhe një bashkëpunim i radhës për katër vjetët e ardhshme qeverisje, e cila do të vazhdojë punët e mira dhe do të vazhdojë t’i kryejë punët që akoma nuk kanë arritur të përfundojnë 100 për qind”, ka theksuar ai, para mbylljes së afatit për deklarimin e koalicionit, në orën 16:00.

E pas mbylljes së këtij afati, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, kanë thënë se janë 12 parti politike të cilat e kanë kërkuar certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhje, nëpërmjet koalicioneve.

“1. Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin e koalicionit: PDU – BALLI KOMBIT; 2. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, me emrin e koalicionit: AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL – E – 30; 3. Naša Inicijativa dhe Bošnjačka Stranka Kosova, me emrin e koalicionit: NAŠA BOŠNJAČKA KOALICIJA; 4. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, me emrin e koalicionit: KOALICIJA VAKAT; 5. Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim, me emrin e koalicionit: PDAK – LpB; 6. Partia e Drejtësisë dhe Aleanca Kosova e Re, me emrin e koalicionit: LISTA PËR FAMILJEN, AKR PD”, ka thënë Elezi, në një konferencë shtypi.

Tek ka komentuar mbi koalicionet parazgjedhore, analisti politik, Arbnor Sadiku, ka theksuar se formimi i tyre është në interes të partive politike të vogla.

“Këto janë më tepër koalicione për interes të partive të vogla sesa të partive të mëdha. Partitë e mëdha shkojnë fuqishëm me logon e vet, programin dhe figurat politike të tyre. Mirëpo për partitë e vogla janë të domosdoshme pasi pragu në Kosovë është lart dhe pa një aleancë me partitë e mëdha është e pamundshme të kalohet pragu dhe të jenë në Kuvend”, ka theksuar ai.

Në zgjedhjet e 2021-s, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbi 50 për qind të votave. Në listë të LVV-së kanë qenë zyrtarë të listës “Guxo”, e cila gjatë mandatit të parë të Qeverisë aktuale është kthyer në parti politike. Në listë me LVV-në kanë qenë edhe përfaqësues të “Alternativës”.