LAJMET E MBRËMJES

Lushtaku dhe 6 të akuzuar deklarohen të pafajshëm “për krim të organizuar”

Pas shtyrjeve të shumta kryesisht për shkak të mungesës së të akuzuarve, në seancën e mbajtur të hënën është bërë shqyrtimi fillestar në rastin me tetë të dyshuar që akuzohen edhe për frikësimin e dy dëshmitarëve në rastin për krime lufte i njohur si “Drenica”. Shtatë prej tyre janë deklaruar të pafajshëm

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më në fund ka nisur shqyrtimi fillestar në rastin ku ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, si dhe Ismet Haxha, Rrusten Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani e Sheremet Jashari akuzohen për krim të organizuar e frikësim të dy dëshmitarëve të mbrojtur në rastin “Drenica 1”.

Prokurorja Florije Salihu-Shamolli ka thënë të hënën se të pandehurit si grup kriminal kanë kryer veprat penale: “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësim gjatë procedurës zyrtare”, nga qershori 2013 deri në shtator 2015.

Ajo ka theksuar se nga provat që pritet të administrohen gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

“Përmes dhënies së parave kesh dhe premtimit të ofertave të ndryshme duke i dhënë para kesh dëshmitarit C, si dhe duke i ofruar një banesë në të cilën ai filloi të jetonte. E, meqenëse dëshmitari C e kishte gjendjen bukur të rëndë shëndetësore të bashkëshortes së tij, arritën që t’i jepnin para me shuma të ndryshme në mënyrë që t’ia bëjnë të mundshme bashkëshortes së dëshmitarit të mbrojtur të shërohej në Beograd... Kjo shumë arriti vlerën deri në 109.000 euro, të cilat ky dëshmitar i pranoi me para kesh...Arritën t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre, me çka arritën që gjykata t’i shpallë këta dy dëshmitarë si ‘dëshmitarë armiqësorë’”, ka thënë Salihu-Shamolli. 

Në këtë seancë u deklaruan të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, përveç avokatit Amir Bunjaku, i cili tha se nuk ka mundur t’i marrë shkresat prej avokatit paraprak për të akuzuarin Sheremet Jashari. 

“Gjykata e EULEX-it e ka ditur që këtu për krime lufte nuk ka mundësi dënimi për shkak të aktakuzës dhe m’i ka hapur një seri aktakuzash në vazhdim që mua personalisht më mban qashtu nëpër gjykata qe 15 vjet gati”, ka deklaruar Lushtaku.

Për rastin e Lushtakut u deklarua edhe avokati i tij, Artan Qerkini.

“Edhe në raport me dëshmitarin F. nuk ekziston asnjë provë e vetme se Sami Lushtaku ka nxitur të japë deklaratë të rreme në procedurë zyrtare, se ka përdorur forcën apo kanosjen serioze apo ndonjë formë tjetër të detyrimit apo se ka ofruar dhuratë apo ndonjë përfitim tjetër për dëshmitarin F. Nga struktura e këtyre veprave penale shihet se këto vepra penale bëhen vetëm me veprim, jo me mosveprim. Atëherë cili është veprimi konkret i Sami Lushtakut lidhur me këta dy dëshmitarë. Prokuroria nuk i ka paraqitur në aktakuzë dhe ju do ta shihni këtë që e thashë në procedurën e administrimit të provave”, ka thënë ai. 

Për rastin u deklarua edhe i akuzuari Rrustem Rukolli.

“Unë kam qenë pjesë e ekipit mbrojtës të zotit Sami Lushtaku, por siç po shihet edhe nga shkresat e lëndës, z. Lushtaku në asnjë moment dëshmitarin C nuk e ka atakuar, kështu që unë nuk kam pasur asnjë motiv të ndikoj te dëshmitari C, sepse ai në asnjë moment nuk e ka rënduar Sami Lushtakun”, ka thënë Rrukolli. 

Disa nga të pandehurit thanë se dëshmitari F. nuk  është më gjallë, andaj trupi gjykues e obligoi Prokurorinë Speciale që ta verifikojë këtë informatë. 

Më 5 prill 2018, Gjykata pati refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se ka vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale.

Ndërsa Gjykata e Apelit, në korrik 2018, pati refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.
Prokuroria e EULEX-it pati ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016.
Seancat e radhës për këtë rast u caktuan për 24 e 25 shkurt 2025.