Partitë politike parlamentare nuk i kanë përfillur afatet e KQZ-së për të aplikuar për certifikim e për t’i dorëzuar me kohë listat e kandidatëve për deputetë. Si rrjedhojë e kësaj, KQZ-ja ka marrë vendim që afatin e orësh 16:00 të së mërkurës ta shtyjë deri në mesnatë
Partitë politike nuk e kanë respektuar afatin e caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’i dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë.
Për dorëzimin e tyre deri në orën 16:00 të së mërkurës, partitë kanë pasur kohë më shumë se tre muaj.
E në mungesë të listave, KQZ-ja e ka shtyrë afatin deri në mesnatë, me një vendim që e mori pasi mbledhjen e saj e mbylli për mediat.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024. Këtë vendim KQZ-ja e mori gjatë mbledhjes së sotme duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Por shtyrja e afatit u bë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet, neni 16 i të cilit thotë se aplikimet për certifikim mund të dorëzohen në çdo kohë gjatë orëve të rregullta të punës, deri 60 ditë para zgjedhjeve.
Eugen Cakolli, nga KDI-ja, thotë se shtyrja nuk u bë për problemet me sistemin, por shkaku i vonesave të partive që patën kohë 102 ditë.
“Ndonëse faji për këtë shtyrje po tentohet t’u lihet problemeve të platformës online, në fakt, fajtorët e vetëm janë partitë (sidomos ato të mëdha) që nuk e kanë marrë seriozisht procesin, duke i lënë aplikimet për momentet e fundit. E sistemi online, si zhvillimi më pozitiv i KQZ-së në këto zgjedhje, ka funksionuar si është më së miri. Për më keq, vendime dhe arsyetime të tilla e cenojnë besimin e publikut në punën e KQZ-së dhe në tërë procesin zgjedhor”, shkroi Cakolli.
Në kohën kur afati duhej të ishte i mbyllur, sipas ligjit, partitë prezantuan aderime të reja. Deri në orën 15:00, KQZ-ja njoftoi se listat i dorëzuan 10 subjekte politike, prej tyre asnjë shqiptare.
“Prej datës 1 shtator deri në këto momente gjithsej kanë aplikuar për certifikim 10 subjekte politike”, ka deklaruar Besnik Buzhala nga Zyra për Regjistrim të Partive.
Pas orës 16:00, njoftimin për aplikim dhe dorëzimin e listës e bëri LDK-ja, që është e vetmja parti parlamentare që prej ditësh i publikoi emrat e kandidatëve për deputetë.
Bartës i listës do të jetë kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, që e synon edhe postin e kryeministrit. Top 10-shen e saj e përbëjnë 5 deputetë dhe kryetarë e ish-kryetarë të komunave.
LDK-ja do t’i rikandidojë të gjithë deputetët aktualë, përveç Agim Veliut që nuk është përfshirë në listë.
Listë me emra të kandidatëve publikoi edhe AAK-ja. Aty numrin një e bartë kryetari Ramush Haradinaj, e pas tij është udhëheqësi i Nismës, Fatmir Limaj.
Në listë AAK-ja ka deputetë e ish-deputetë, si dhe të gjithë kryetarët e komunave që i udhëheq. E mes kandidatëve është edhe Isni Kilaj, që ndodhet në paraburgim në Hagë me akuzat për tentim të pengimit të drejtësisë.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit do të marrë pjesë edhe Lista Serbe, e cila nga nëntori i 2022-s e ka bojkotuar Kuvendin dhe që atëherë nuk ka marrë pjesë në dy procese zgjedhore të mbajtura në veri.
Kjo parti do t’i ketë 48 kandidatë, mes tyre edhe ish-deputetë e deputetë aktualë.