Subjekteve politike nuk u është ndarë buxheti për zgjedhjet e 9 shkurtit. KQZ-ja nuk e miratoi atë, meqë anëtarët e Vetëvendosjes refuzuan që të ndahet buxhet edhe për Listën Serbe
Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve nuk ka miratuar ndarjen buxhetore për 14 subjekte politike, në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Shkak u bë fakti që në rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, është përfshirë si përfituese edhe Lista Serbe.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, u deklarua i pari kundër.
“Jam kundër ndarjes së mjeteve të Listës Serbe. I kam dhënë argumentet e mia dhe vota ime është kundër ndarjes së mjeteve për këtë subjekt”, ka thënë Kurteshi.
E, anëtari tjetër i kësaj partie në KQZ, Alban Krasniqi, propozoi që në votim të vihet ndarja e mjeteve për secilin subjekt politik veç e veç.
“Nuk mendoj që zyra ka të drejtën të ndalë shumën për një subjekt. Totali i asaj shume u takon subjekteve politike; ky rekomandim apo miratimi duhet të jetë i veçantë për secilin subjekt politik dhe jo në përgjithësi”, ka thënë Krasniqi.
Propozimi i Krasniqit nuk u mbështet nga shumica e anëtarëve.
E, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, paraprakisht propozoi shumat për subjektet.
“Gjithsej 14 subjekte politike përfitojnë. Zyra rekomandon KQZ-në që të bëjë ndarjen e buxhetit për dy muaj. Zyra ka analizuar edhe aktet tjera ligjore, ku shuma prej 10 për qind për grupet parlamentare rekomandohet të ndahet prej datës 1 janar deri më 9 janar. Lidhur me këtë, zyra rekomandon që mjetet të ndahen nga fondi. Sipas rekomandimit, subjektet politike që do të përfitonin janë: Lëvizja Vetëvendosje – 353,898.31 euro, PDK – 115,932.20 euro, LDK – 91,525.42 euro, Srpska Lista – 54,915.25 euro, AAK – 48,813.56 euro, Kosova Demokratik Turk Partisi – 12,203.39 euro, etj.”, ka thënë Buzhala.
Në mbledhjen ku nuk kaloi ndarja buxhetore, KQZ-ja ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit.