Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’i lirojë nga akuzat për korrupsion ish-sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe tre zyrtarë të tjerë. Prokuroria pretendonte se ata e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit, kur kanë favorizuar një kompani në tenderin për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan. Por, trupi gjykues konstatoi se akuza nuk është provuar
Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, dhe tre zyrtarë të të njëjtit institucion, Isa Berisha, Mirdit Emini e Leonora Limani janë liruar të martën nga akuzat e ngritura më 2021 për korrupsion në tenderin për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.
Prokuroria Speciale i ka akuzuar ata se e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit duke përzgjedhur kompaninë më të shtrenjtë. Por, akuzat nuk e kanë bindur trupin gjykues.
“Nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen me aktakuzën e lartcekur dhe të njëjtit lirohen nga akuza”, ka thënë Musa Konxheli, kryetar i trupit gjykues.
Në aktakuzë theksohej se Reçica si ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit ka ushtruar presion mbi anëtarët e komisionit të rivlerësimit, pasi tenderi ishte kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP). Sipas Prokurorisë, komisioni që përbëhej nga tre të pandehurit vendosi nën presion në favor të kompanisë “Gjoka Konstruktion”, me të cilën është lidhur kontrata.
Në aktakuzë theksohet se Komisioni fillimisht kishte vlerësuar se një kompani tjetër duhej përzgjedhur, meqë kishte për 1.6 milionë euro ofertë më të ulët.
Në arsyetimin e trupit gjykues është theksuar se superekspertiza ka nxjerrë tjetër përfundim.
“Pavarësisht se operatori ekonomik ‘Sallahu’ ka qenë i përgjegjshëm për secilin lot që ka konkurruar, për tetë lote ka qenë më i shtrenjtë se autoriteti kontraktues e të cilat janë vërtetuar nga OSHP-ja në vendimin e dytë dhe siç e thamë nga Gjykata Administrative”, ka thënë gjyqtari Musa Konxheli.
Gjykata hodhi poshtë edhe pretendimet e Prokurorisë se Reçica ka bërë shpëlarje parash, duke e blerë një veturë sportive me para që kanë prejardhje kriminale.
Gjykata i ka udhëzuar palët për ankesë brenda 30 ditësh, nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar.